Gjithmonë më ka shkaktuar një mpirje shfletimi i librit „Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha“, i Vlladan Gjeorgjeviçit. Një mpirje të veçantë, nga ato që shkaktohen kur mbi revoltën zotëron pikëllimi. Kam kujtuar se me kalimin e viteve, kur njeriu përherë e më tepër njihet me të keqen dhe krimet, ky libër do të ishte i durueshëm më lehtë. Mirëpo ka ndodhur e kundërta. E keqja e tij sa më shumë kalon koha, aq më e padurueshme ngjan. Ky është jo vetëm libri më antishqiptar, por ai, jashtë çdo dyshimi, është libri më i zi që mendja dhe dora njerëzore ka mundur të sajojë kundër një kombi, gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Në qoftë se, në shëmbëllim të shtatë mrekullive të botës, do tënjehsoheshin shtatë shëmtitë e saj, ky libër do të zinte pa diskutim një nga vendet e para. Piramidë e së keqes, vrimë e zezë kozmike, ku është dendësuar aq vrer dhe urrejtje që do të mjaftonte të molepste tërë botën, ky libër është me të vërtetë unikal.
Autori i këtij libri është një serb që ka qenë vite më parë kryeministër i Serbisë. Duke mbyllur fletën e fundit të tij, çdo lexues do të thotë formulën e vjetër: mjerë ajo kulturë që pjell akrepë te tillë, dhe mjerë ai shtet që ka pasur të tillë shefa.
E çuditshme (ose aspak e çuditshme) është se, duke qenë kryeministër i shtetit serb, duket sikur ky njeri pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar duke studiuar shqiptarët. Libri është mbushur me infomacion të hollësishëm, qindra emra katundesh, qytetesh,
shqiptarësh të thjeshtë ose princash e feudalësh, me ngjarje, episode, citime vjershash, kronikash, nyjash kanunore, me dhjetëra shprehje e formula në gjuhën shqipe, me të dhéna historike, gjeografike, etnografike, ekonomike etj ., etj. Duke mos u mjaftuar me sharjet kundër racës shqiptare, qytetërimit, gjuhës, kulturës, zakoneve, katolicizmit shqiptar etj., ai nuk e mban dot mllefin që e grin përbrenda dhe, ndonëse është diplomat e kryeministër dhe e di ç’do të thotë taktikë, nuk duron dot pa thënë se shqiptarët nuk meritojnë të jetojnë si komb dhe, si përfundim, Shqipëria duhet të zhduket nga faqja e dheut, duke u ndarë midis Serbisë dhe Greqisë.
…Ndërsa në kulturën shqiptare mund të gjendeshin gjithfarëlloj librash, kronikash e traktatesh për temat më të papritura, nuk gjendej asnjë studim, madje asnjë dokument arkivor kundër serbizmit. Në Serbi, përkundrazi, shumica e akademikëve e shkrimtarëve u përfshinë në histerinë antishqiptare.Libri famëkeq i Gjeorgjeviçit, ishte pjesë e një doktrine që vazhdon ende sot. Një nga ndjekësit e Gjeorgjeviçit, akademiku Vasa Çubrilloviq, autori i një dokumenti barbar që bënte thirrje të hapur përgjenocid kundër shqiptarëve, Është ende gjallë sot. Me 1989-n, në kohën engjarjeve tragjike të Kosovës, ky akademik kriminel u dekorua prej qeverisë serbe dhe kjo u bë me qëllim për t’i acaruar shqiptarät e per t’i shtyrë në akte të dëshpëruara, pas të cilave të përligjej dërgimi i tankeve dhe masakrae ëndërruar qyshkur.
Në të vërtetë, kjo ndodhi në Kosovë, dhe helmi, dhe gjaku janë ende atje.
*Fragmente nga: “ Ftesë në Studio„, Kadare, pranverë 1990.
Lexojeni me vemendje shqiptare kollosin e letrave shqipe.
LikeLike