«Pallati i Ëndrrave», Romani i rrezikshëm

ROMANVRASËSI

Në presidiume, midis shefash
A nepër mbledhje pak më rrallë,
Ti shfaqesh thjesht e buzëqeshës
Dhe sytë i mbyll dhe flet ngadalë.

Dhe thonë shefat: sa i thjeshtë,
Dhe thonë njerëzit: ç’babaxhan.
Kështu shpërndahet kjo legjendë
N’auditore anembanë.

Kështu shkon dita… Por vjen nata
Kur në tryezë rri, oh, ç’tmerr,
Lëkurën befas heq si maskë
Dhe një fytyrë tjetër del.

Dhe letrat hap, çantën e krimit,
Jo më për prozë lapsin zë,
Por për të shkruar denoncimin,
Për të varrosur prapë dikë.

Dhe shkruan fjalët: “ekuivoke”.
“Ka aludim”, “kuptim dyfish”,
Ndërsa e ndien si spërkat duart
Gjaku i romanit që jep shpirt.

Makbethi tha dikur: s’e prisja
Të kish kaq gjak Dunkani plak…
Por një roman nga plagët shpuar
Nxjerr shumë e shumë më tepër gjak.

Ndaj nga spërkatja e tij nuk mundesh
Nuk mundesh kurrë të shpëtosh dot…
Më kot vë maskën në fytyrë
Dhe buzëqeshjen vë më kot.

Dikur kinezët mu në këmbët
E varrit të heroit q’u tret.
Varrosnin vrasësin që bashkë
Lavdi e turp t’ishin përjetë.

Do të kujtohesh dhe ti mbase,
Por veç nën këmbët e dikujt
Do çajnë shekujt kështu bashkë
Lavdi e tij dhe i yti turp. ▬ Kadare 1984

*Vjershë e shkruar më 1984, për drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve, ata që dënuan dhe ndaluan romanin „Pallati i Ëndrrave“. Autori nuk e ka përcaktuar asnjëherë nëse vjersha i drejtohet një njeriu të vetëm apo një tipi njerëzor.

UWE STOLZMANN. ▬ *Autor i Grupmedias në “Neue Zürcher Zeitung” (Zvicër)

Bildergebnis für Uwe Stolzmann

Zyra „Pallati i ëndrrave“, tmerri i tij fshihet pas një eufemizmi. Më shumë se pallat është kështjellë dhe aty as nuk mund të ëndërrohet. Qindra nëpunës në uniforma blu në të gjelbër mbledhin, përzgjedhin dhe shpjegojnë për hesap të shtetit dhe „zotit të ëndrrave“, ëndrrat e shtetasve, ëndrrat e të gjithë qytetarëve. „Asnjë zyrë tjetër nuk është kaq e paarsyeshme, kaq e bindur, kaq e zellshme, d.mth. kaq shtetërore“, thotë dikush.

Mark – Alem, Bonvivant nga një familje me emër, do të marrë një vend pune në pallat, të parën në jetën e tij. Ai fillon me „Seleksionimin“, kalon shpejt tek „Interpretimi“ i ëndrrave, që qëndrojnë të lidhura në dosjen e vënë mbi tavolinë: Tri dhelpra të bardha në minaren e një xhamie. Një maçok i bardhë me hënën në gojë. Një copë vend i rrënuar nën këmbët e një ure… Çfarë duan të thonë këto simbole?

Mark-Alem dhe kolegët gërmojnë ngado për puçe, kryengritje, luftëra. Asnjë cep i ëndrrave të fatit nuk duhet t’u ikë atyre, nuk duhet të shpëtojë pa iu ndryshuar fati dhe rrjedha.

Pak javë pas fillimit të shërbimit të tij, Mark-Alem bëhet nëndrejtor, përgjegjës për dhomën kryesore. Si kështu? Deri më tani djaloshi i ri dukej disi i drojtur, i tërhequr, i papërvojë; mbi jetën dhe mendimin e tij nuk mund të raportohej ndonjë gjë. Ngritja në karrierë ndodh falë klanit të tij (dy çati me emrin Köprülü janë mbajtës ofiqesh të mëdha) dhe një me prejardhje gjaku nga familja Köprülü, me influencë në pushtetin e oborrit. Mark-Alem ndryshon, dhe ai e vëren këtë gjë. „Atij i duket qesharake, që pikërisht ai, i cili sallën misterioze, kërcënuese të ndërtesave shtetërore e ka konceptuar gjithnjë si shtypëse, të tjerëve iu duket normale“. Fillestari ka skrupuj? Shumë vonë. Ai është ndërkohë njëri prej tyre, të cilët ai deri më tash i ka përçmuar, „një funksionar tipik“.

Velloja historike

Arkitekti i këtij pallati të errët ka vlerën e një tabele treguese letrare për vendin e tij: Ismail Kadare, lindur më 1936 në Jug të Shqipërisë, ka studiuar në Tiranë dhe Moskë, i shfaqur dhe konfrontuar si romancier qysh në vitet gjashtëdhjetë. Një artist që shfaqet në dy versione, ka qenë Kadare, herë ushtar cinik i partisë, herë kritik i regjimit. Historia e „Pallatit të ëndrrave“ lindi nga fundi i viteve shtatëdhjetë; Shqipëria po përjetonte pothuajse një valë të gjerë represioni. Pikërisht për këtë arsye, Kadare i ngre një vello historike tekstit të tij. Vendi dhe koha e ngjarjes: Stamboll rreth 1900.

Por sigurisht që „shokët“ e kuptonin kështu librin, ashtu siç ai ishte shkruar, si një parabolë dhe provokacion. Sepse ky Stamboll i ngjan brendësisë së qytetit të Tiranës, dhe „Pallati“ vlente deri më asokohe, si një bufe apo klub i nëndheshëm, si një pjesëz nga Komiteti Qendror. Ai ka dashur të projektojë një plan të fe rrit, do të komentonte më vonë Kadare veprën e tij. „Errësira mbizotëronte, çdo gjë ishte e mbushur me trishtim, koha kishte ndaluar…“. Detaje mbi skenat dhe ngjarjet do të bëhen të ditura ditën e inaugurimit. Përkthyesi Joachim Röhm: „Për lexuesit shqiptarë janë të qarta skenat mbi luftën e bërrylave në shtresat e sipërme të udhëheqjes së partisë për pasuesin e diktatorit të mplakur“.

Më 1981 doli romani, udhëheqja e ndaloi atë me dekret të veçantë. Ramiz Alia, princi i kurorës së diktatorit, e kërcënoi autorin: „Populli dhe partia të ngritën ty në Olymp, por në qoftë se ti nuk u qëndron atyre besnik, ata do të rrëzojnë pastaj në humnerë“.

Kadare e kuptoi gjithë këtë dhe bëri autokritikë. Alia u bë më pas pasues i Hoxhës, dhe më pas presidenti i parë i Shqipërisë „demokratike“. Kadare shkoi në vitin 1990, fill pas rrëzimit të diktaturës, në ekzil; ai jeton në Paris.

„Pallati i Ëndrrave“ është njëri nga tekstet më të rrezikshme të Ismail Kadaresë, thuhet në një tekst të shkurtër prezantues në vëllimin gjermanisht të këtij libri. I rrezikshëm? Çfarë kihet parasysh me këtë? Rreziku i një provokacioni të mbetur pas? Por akoma është vetëm një histori. Kadare nuk dëshiron të përcaktohet si „autor politik“, sepse ai tërhiqet kur bëhet fjalë për partishmëri, angazhime e qëndrime politike. Çfarë mbetet?

Një copëz nga letërsia, e cila duhet të cilësohet vetëm si e tillë: Proza zbavitëse me thyerje plot anarki të këndshme, plot efekte, ngandonjëherë që ngjall madje një ndjenjë të vogël frike (labirinthi i zyrës, radhë pa fund dyersh njëformëshe, thirrje e britma nga dhomat e izoluara, mbajtës arkivolesh në dritën e ngushtë të një shtegu pa fund). Leksione të hidhura, jo të këshillueshme për natën, por proza pa rrezik. Irritimi fillon në një shkallë të dytë, në analizën e materialit dhe stilit. Joachim Röhm sheh të pasqyrohen në roman „strukturat e përjetshme të regjimeve totalitare“. Shikimi shtrihet më tej: Nuk përshkruhen vetëm të pushtetshmit e një klani, jo vetëm „mëshira hyjnore“ e një tirani, por e gjithë çmenduria normale, që rrethonte shtetin modern, pretendimin e tij për të gjithëpushtetshmin, dhe nga ana tjetër humbjen e individit në ingranazhin e burokracisë.

Frikën dhe përvojat e tij në socrealizëm, autori i ka projektuar shpesh në një sferë historike, Perandorinë Osmane. „Makinë pushtimi“ e cilëson Röhm këtë figurë të dhunshme, që Kadare e përshkruan si „Prototip të një supershteti totalitar“.

Totalitar, sërish, një pretendim, që nuk bëhet realitet, megjithëse ai nuk i përsërit këto pretendime edhe aq shpesh. Klisheja e „zgjedhës turke“ tingëllon si kujtesë për traumën e madhe të popujve ballkanikë. Hordhitë turke, të cilat tundën botën, trajtohen ndryshe në penën e Kadaresë. Aty flitet për Sulltanin, që të gjithë mallikimin e tij e hedh mbi Shqipërinë. Osmanët e siguruan fuqinë e tyre nëpërmjet tolerancës religjoze dhe të një politike të zgjuar „përça e sundo“. Köprülü përmendet në këtë libër lidhur ngushtë me origjinën e Mark-Alemit. Klani, nga gjiri i të cilit kanë dalë një gjysëm dyzine me vezirë dhe drejtues ushtarakë osmanë, ka jetuar në fakt në Stamboll. Familja më parë thirrej „Qyprili“, kjo fjalë erdhi nga Shqipëria.

Gjuhë e shtruar, figura boshe

Në mënyrë krejt origjinale, Ismail Kadare na paraqet një ndërlidhje nga „Pallati i Ëndrrave“ për tek „Ura me tri Harqe“, botim i vitit 1978, romanin e tij të mëparshëm.

Klani i Qyprilinjve, tregon ai më pas, ka qenë i angazhuar në ndërtimin e kësaj ure në mesjetën shqiptare dhe emri i kësaj familjeje rrjedh prej andej. Krahasimi midis gjuhës së dy librave: Vihet re gjuha elegante e Kadaresë tek „Ura“ (dhe në veprat e tjera), humor, dendësi dhe forcë poetike. Kurse në rastin e „Pallatit të Ëndrrave“ shihet qartë se gjuha e përdorur është e shpeshtë. Ndjenja negative nuk parapëlqehen. Aty vihet re vetëm prania e tmerrit, panikut. Ata janë kudo. Zhvillohet „diçka që ka brenda tmerr“. Çfarë saktësisht?

Një zyrtar gris një letër rekomandimi, jo më shumë, por mjafton sigurisht që „Mark-Alem të ndodhet si i goditur nga rrufeja“. Mendimet gjenden shpesh të ripërsëritura, me atribute shumëngjyrëshe që shtohen e shtohen; herë-herë kapet logjika e fjalive, herë-herë ajo humbet brenda stilit. „Ai qëndronte si i ngulur pas dere dhe nuk donte t’u besonte syve të vet“.

Figurat? Janë gjetje, thjesht të projektuara në mendjen e tij, fiksione. Pa ide, thuajse në mënyrë memece, na shfaqet Mark-Alemi në libër, ai humbet, lëviz: „Përse? Si? Kundër kujt?“. „Pallati…“ dhe „Ura…“, të dy romanet shfaqin një paralele, që zgjatet përtej Qyprilixhinjve. Ajo prek tematikën e ditës.

Le t’i hedhim edhe një sy tekstit të 1978: Një urë me harqe e osmanëve si simbol për konfliktin midis lindjes dhe perëndimit, midis traditës dhe kohëve moderne, një vepër arkitekturore në Ballkan, që është ndërtuar mbi viktima njerëzore…

Lënda tek „Ura“ është thuajse një huazim. Ajo është përpunuar gjatë luftës botërore. Libri, i publikuar më 1945, titullohej „Ura mbi Drin“. Autori i saj ishte Ivo Andri nga Bosnja, i cili, me këtë libër, në vitin 1961 mori Çmimin Nobel. Edhe ideja e „Pallatit të Endrrave“ duket e huazuar. Në qoftë se ndokush do përpiqej të kishte në dorë dorëshkrimin e plotë, atëherë do t’i dukej se po dilte nga biblioteka e Borgesit. Ose, akoma më shumë se kaq, nga dhomat e „Procesit“ të Kafkës.

“Neue Zürcher Zeitung” (Zvicër) 14 tetor 2003
Përktheu Armand Plaka

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..