ZËRI I ISMAIL KADARESË
Janë të paktë librat bashkëkohorë që më kanë tronditur sa “ Tri këngë zie për Kosovën”, që Ismail Kadareja e botoi në vitin 1998, pikërisht në kohën kur një krizë me përmasa ndërkombëtare po ngjizej sërish përreth Fushës së mëllenjave. Dalloj sërish të pashmangshmin “aktorin kundër rrymës” të mendësive ballkanike, që ia kalon vetëm ai i popullit hebre, për të cilin dy mijë vjet më histori që nga koha e diasporës vazhdojnë të mbeten kokëfortësisht një faqe e pashkruar. Larushia verbuese, në vitin 1389, e ushtrisë (ost) së feudalëve të krishterë, me flamujt e saj shumëngjyrësh, veshjet e ndryshme, kantikët, aedët e mbledhur rreth çadrave të tyre, teksa ngrenë këngë për bëmat e princave luftëtarë si tek “Iliada”, e cila në librat e Kadaresë i kundërvihet energjikisht detit të hirtë, të heshtur , të flashkët të forcave turke, që ngjan të jetë më tepër një element, sesa një ushtri. Ne e kemi të vështirë të përfytyrojmë popuj, afër nesh, megjithatë për nga largësia, për të cilët nuk ekziston asgjë, ose thuajse asgjë para dhe pas një Përmbytje historike, që ka rrafshuar, rimodeluar dhe shkretuar pamjen e trojeve të tyre. Ballkanasit janë ndoshta të vetmit që njohin melankolinë e pashërueshme të katastrofave të mëdha historike: ato pas të cilave “gjaku vete gjer në gju të kalit”. Pas pushtimit turk, gadishulli ilirik mbeti tokë e damkosur në Europë, si Afrika në botë pas skllavërisë dhe kolonializmit. Ndonjëherë më është dukur se Ciorani mbarte mbi vete, po aq sa dhe nihilizmin e tij, një “vepër zie”, gjithmonë të papërfunduar.
Në një epokë të trazuar dhe të një rizgjimi të vrullshëm të historisë, një nga ato epoka kur ndër ne Shatobriani, për kohën, gjeti për veprat e tij një forcë nxitëse, një prurje të aftë për të ushqyer, madje dhe më tepër se kaq, dhuntitë romaneske vetjake – zëri i Ismail Kadaresë, i dalë prej njërit nga popujt më të vegjël të kontinentit tonë, në një Europë që, sipas modelit amerikan, po e flak sot krejt të kaluarën në plehra, ngjan herë-herë të na çojë në kohën që të kujton atë të lehonisë së letërsisë, kohën kur dëgjohej zëri i Eskilit te “Persët”, apo atë të bardit të “Këngës së Rolandit”, atë të “Këngëve të Sidit”.
JULIEN GRACQ*
“L’Oeil de boeuf”, Paris, maj 2000.
*Julien Gracq (1910-2007) është konsideruar nga kritika si më i madhi shkrimtar francez



