Duhet të them se e konsideroj veten njeri me fat. Në fakt, secili ka fatin e vet, por varet se sa arrin ta njohësh e ta perceptosh fatin që të vjen. Kam njohur shumë njerëz, të rëndësishëm e të parëndësishëm. Më ka qëlluar të njihem me Kadarenë, që e kam mik dhe me Patër Zef Pllumin që e kam pasur mik. Me Kadarenë jam njohur si fillim përmes veprës së tij që kur kam qenë fëmijë. Kjo është njohja më e thellë që kam me të dhe ajo së cilës i besoj më fort. E kam takuar kur unë punoja pranë ambasadës sonë në Gjermani, kur ai pat ardhur për një aktivitet në Berlin e më pas njohja është thelluar. Ka qenë ai që më ka dhënë akses dhe ka hapur shumë dyer, ka qenë një njohje me kurs normal e tani është një miqësi, një miqësi që bazohet në vlerësimin e ndërsjellë. Është e mbështetur në disa vlera të rëndësishme që unë i çmoj tek Kadare. E quaj veten me fat që pata një njohje direkte me të e kësaj i janë shtuar shumë gjëra. Prej takimit të parë e deri sot kemi pasur disa takime.
Ishte Ismail Kadare që ju bëri të njohur për publikun e gjerë, kur ju propozoi për president. Më pas, pati debate rreth emrit tuaj, erdhi shkarkimi, etj. Para kësaj kohe, ju ishit i njohur vetëm në rrethet ushtarake e intelektuale. Si e keni përjetuar këtë kohë?
Është pjesë e atyre çudive shqiptare që bëhesh i njohur përmes lajmeve të këqija si shkarkimi, përmes ndërprerje e konflikteve. Ka kaluar një vit. Viti 2013 ishte tërmet i panevojshëm, kohë kur m’u njoftua lirimi nga detyra, ushtria, nga shumëçka.
Por, ju më herët patët përplasje me ministrin e Mbrojtjes Arben Imami…
Po, kisha pasur. Në fakt, gjithë ç’ndodhi, e pati fillimin në vitin 2012, kur Kadare për dreq ma përmendi emrin për president. Po e kritikoj pak Kadarenë e po them se u bë (pa dashje) fillesa e këtij cikloni që pasoi. Në lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes, filloi të agravohej marrëdhënia që në vitin 2012. Ishte një konflikt që unë doja ta mbaja brenda kuadrit institucional, edhe pse qe shumë e vështirë. Bëra përpjekje të pafundme që të mos dilte prej aty si konflikt, por nga ana tjetër, nuk doja që të fshihej, as të shuhej. Konflikti duhej bërë ishte parimor dhe e kam pranuar ballafaqimin me koshiencë të plotë, sepse ishte një ballafaqim për çështje të rëndësishme për Forcat e Armatosura dhe për vendin. U përpoqa ta mbaja brenda me stërmundim, sepse isha dhe jam i bindur se dalja e konflikteve dhe sidomos për këtë çështje të rëndësishme për shtetin, jashtë nga institucioni, jo gjithnjë janë pozitive. Paçka vullnetit tim, doli edhe pse nuk doja kurrë të ndodhte, që të bëhesha pjesë e një konflikti rreth Forcave të Armatosura të cilave iu kam shërbyer, qëkurse isha një fëmijë. Pak a shumë nuk mbaj mend jetë pa uniformë. Në mënyrë të papritur dhe të pabesë (e pabesia të lodh e të vret) një ditë mora vesh se paskësha qenë liruar para një jave. Ishte një vendim i marrë nga ministri i Mbrojtjes, presidenti, etj., pra nuk qe vendim individual, por i menduar mirë, gjatë, e gjerë. Qe zgjedhur të shpallej në një moment, që unë e quajta krejtësisht të papërshtatshëm, sepse ishte mesi i fushatës elektorale.
Më herët, pra para shkarkimit, emri juaj qarkullonte në shumë debate
Po, kësaj i pat paraprirë një fushatë e mirëorganizuar, që synonte të më godiste. Goditja ishte e vështirë, sepse unë nuk ofroja një tabelë të madhe qitje. U vijua me disa sulme të tjera (edhe mediatike) që kërkonin të më tërhiqnin në një betejë religjioze dhe disa sulme që u bënë nga disa forume islamike, të cilat u munduan të më tërheqin në një debat me natyrë fetare. Sigurisht që gjëja e fundit që më binte ndërmend ishte kjo, të bija në baltëra të tilla, të ulëta e të panevojshme. Por, ishte një goditje e përgatitur prej kohësh.( mare nga intervista e F.Nikolli te balkanweb.com)
C´mendim keni Gjeneral ,a mund te behet Shqiperia?
Po ,Shqiperia behet . Ajo ka njerez shume te zote, por jane te pakte ata qe rrine drejt . Ja tek e kemi gjeniun qe rri drejt – ben me koke nga Ismail Kadare .
A ka vend që një gjeneral të flasë për Kadarenë?
Prej kohësh përmasa e veprës së tij e ka tejkaluar të voglën Shqipëri, duke u bërë një vepër botërore. Kadareja ka shkruar shumë, jashtëzakonisht shumë. Ai ka shkruar, por edhe për të është shkruar. Madje nganjëherë kam përshtypjen se po të krahasohej ajo që Kadare ka shkruar për botën dhe ajo që bota ka shkruar për Kadarenë bota do ta fitonte këtë matje. Të paktën në sasi. Për Kadarenë kanë shkruar pothuajse të gjithë. Kanë shkruar kritikët e të gjitha shkollave dhe orientimeve, kanë shkruar shkrimtarë, lexues, diktatorë, politikanë, gazetarë, fëmijë, hetues, spiunë, denoncues të të gjitha niveleve, analfabetë e magjistarë. Kjo listë mund të vijohej shumë më tej. ….Por në dijeninë time me Kadarenë nuk janë marrë shumë gjeneralët. Madje as pashallarët, ndonëse vetë Kadare është marrë shumë me ta.