Pas xhamit të një dyqani librash nisa të lexoj nga jashtë tij disa tituj të ndryshëm. Ato ishin libra biografik më tepër. Për një moment lexoj “ Altwerden ist nichts für Feiglinge „. Më mpihen sytë, nuk po kapja dot domethënien e titullit , ndaj e lexova edhe një herë..Po, e gjeta „Mplakja nuk është për frikacakët,,.! Vija e mendimit lëvizi nxitimthi e më çoi drejt te një pjesë hymnizuese e I.Kadaresë për Lasgushin.
„E kisha dashur përherë Lasgush Poradecin, me një dashuri të veçantë, që kishte gjithmonë brenda saj një brengë, një qortim. Por, edhe dashuria për të, edhe brenga edhe qortimi ishin të një përmase të veçantë, përtej të zakonshmes, gati-gati misterioze.
Po aq sa për vjershat e tij të bukura, ndoshta më shumë se për ato, kisha mall për kohën që kishte vdekur bashkë me të. Një kohë gjithashtu e papërcaktueshme lehtë (as kohë e mbretërisë, as e republikës, as e paraçlirimit), jo, një kohë tjetër, që mund të ishte brenda të triave, e mund të mos ishte askund. Më shumë se atë vetë, doja tek ai ëndrrën mallëngjyese për diçka të tretur. Të pakthyeshmen. Të pamundurën. Prej vitesh ishte dhe s’ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë. Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, pranimit të festës, niste qortimi për të. Por, edhe ai vetë, si çdo gjë tjetër që lidhej me të, ishte e tjetërfartë, e përgjithshme, flu, më tepër qortim ikonash…(„Ikja e Shtergut“ f. 374 Vepra XIV )
…Sot para (27) vjetëve ,
„Ishte 12 nëntor 1987, por koha qe e bukur. Ndërsa i mbulonin arkivolin me dhe , dielli përndriste si ditë të kremte copërat e baltës përpara se të binin mbi të . Ai po futej kështu nën dhe „veshur me diell , mbathur me hanë „(«Ftesë në studio» f.108, Vepra XVII)
Në vjeshtë shtërgjet duhet të dukeshin që këtu, tek niseshin për larg. “Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë”. Më erdhi të thosha: ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lesh ne të gjorëve?
„Në ferr do të zbres të shndrit veç për të vdekurit „
Është kërcënimi i diellit te „Iliada ,,, është kërcënimi i poetit vetë. Vetëm truri i zemëruar i tij mund të pjellë një kujë të tillë. Ështe kundërshtimi i parë i madhërishëm në art . E vështirë që pranë vargut homerik të rendisësh një varg tjetër . Megjithatë, dy strofa nga poezia shqipe afrohen të druajtura në kujtesë . Janë vargje të trishtuara, lirike, të Lasgush Poradecit, të cilat , ndoshta ngjajnë të largëta, kanë një gjen të përbashkët me diellkanosjen homerike . Poradeci i ka shkruar në pleqërinë e tij, kur e ndiente veten të përmbysur “ si shkëmb përtoke „
Përmbys shoh shkrumbin
Ca iskra pa shuar
Ca yj që s`humbin
Nga jetë e mbaruar .
Përmbys , o jetë
Mì fal stolitë
Vargu më i bukur i rënies së njeriut . Aty nuk ka ,i mjeri unë , si isha si u katandisa, aq më pak jam plak por zemrën e kam të re etj. Kjo ështe rënie me shkronjë të madhe. Ka diçka titanike kjo vjershe jo në kahjen e forcës por të pafuqisë . Përmbys, titani i rënë , por që as ankohet e as përndizet nga rënia, midis shkrumajës së jetës së vet, si një vetëGalile, gjurmon „Yjet që s`humbin“. Kështu përmbys jeta „ia fal stolitë“-♦ Ismail Kadare për Lasgush Poradecin.
Mülheim an der Ruhr Gjermani, shkruar më 12.11.2014 nga ® L.Lapi.
*Sqarim: Paragrafët me shkrimin blu të këtij kompozimi janë marë nga tregimi „Ikja e Shtërgut“ botuar në Tiranë 1986 dhe në Paris, maj 1998) dhe „Ftesë në studio“ ( shkruar në pranverën e vitit 1990 , Vëllimi 18 f. 170-172) të Ismail Kadaresë.