Si sot para katër vjetësh, 12 dhjetor 2010, në ambientet e një salle pranë Katedrales së Këlnit, nën dekorin e atmosferës së krishtlindjeve patëm fatin të ishim miqësisht me shkrimtarin Ismail Kadare. Ismail Kadare ishte i ftuar special në një takim ndërkombëtar nga Akademia e Teatrit të Këlnit. Akademia e Teatrit të Këlnit fton ç´do vit njerëz të shquar nga bota, personalitete të fushave të ndryshme të artit, kulturës dhe letërsisë. Pikërisht këtë vit , dhjetor 2010-tën, i ftuar nga fusha e letërsisë ishte Ismail Kadare. Pas një ftese që i bëmë shkrimtarit, kjo në emër te shoqatës Kulture & Integrim në NRW të Gjermanisë, iu lutëm shkrimtarit të gjente kohë dhe të na nderonte ne lexuesit e tij të diasporës me një takim -bisedë. Ismail Kadare miratoi me kënaqësi të veçantë takimin me shqiptarët e diasporës. Bashkëbisedimi ishte tepër miqësor, pa protokoll e mjaft i ngrohtë . Pavarësisht sallës së mbushur me gazetarë , letrarë, aktivistë politikë e lexues të shumtë, biseda me shkrimtarin vijoi jashtëzakonisht miqësore, me batuta e humor. Ishte moment i artë dhe fat shumë rrallë të përjetoje drejtpërdrejtë një Dimension Letrar si Ismail Kadare. Emocioni është i njëjtë si atëherë.
Një zotëri pyet Ismail Kadarenë : Kush na ndau ne shqiptarët i nderuari Kadare ?
Ismail Kadare: Ne na ndau fillimi i shekullit të 19-të. Ne harrojmë që kemi qenë gjithmonë bashkë, kujtojmë se kemi qenë të ndarë gjithmonë. Serbët kanë bërë një zhurmë kaq të madhe saqë ngjan që Kosova ka qenë tërë jetën nën Serbi. Jo, Kosova ka qenë tërë jetën me Shqipëri. Ne na kanë ndarë, unë do tregojë si shkrimtari tani, ca këngë serbe , ca gra serbe që vajtonin shumë bukur, ca balada për luftën e Kosovës, që ishin jashtëzakonisht të bukura. Serbët këtë bukuri e shpërndanë në botë , sa bënë një propagandë 100-ra vjeçare. Kosova ka qenë djepi i Serbisë, thoshin, por që s´ka qenë kurrë në të vërtetë!
Do thoni ju, a është e mundur kjo gjë? Ky është pak shpjegim foshnjor, këtu është absurditeti , kjo është dhe tragjedia jonë. Ata, serbët, i mbushën mendjen tërë Europës, se Kosova është djepi i tyre.
A e dini ç`kanë dashur të bëjnë serbët ? Ata kanë dashur të bëjnë Prizrenin kryeqytetin e tyre. Këtu është qendra jonë donin të thoshin. Çfarë marrëzirash nuk kanë bërë! Se kush u tha ndonjëri, se jeni afër me Shqipërinë. Se sa është Prizreni? 20 e ca km larg. I arrijnë topat ushtarakë, dhe parimisht ashtu ishte, 10 topa tjetri dhe të shkatërron kryeqytetin. Po, kaq e fortë ka qenë propaganda e tyre , ka qenë propagandë histerike e klasit të parë.. .Një gjerman i madh, Goeteja, ishte nga të parët që i ç’mojë shumë këto kënge . Atij këto këngë ja çoi një rilindës serb ,në thonjëza , Uçbuk Karaçiç. Ky ishte një folklorist serb. Nuk ja çoi me të keq siç mund ta kuptojmë ne tani. Përkundrazi i madhi Goete, tha shikojini ç`bëhet në Ballkan. Ky folklorist serb , i ka çuar për çudi edhe këngë shqiptare, baladë shqiptare. Më pas, e gjithë kjo bukuri artistike, u trumbetua me një vëmendje të jashtëzakonshme. U krijua i gjithë eposi i vjetër serb, më vonë që u adaptua si një makinë shoviniste antishqiptare, u shpërnda në të gjitha anët e botës, magjepsi intelektualet e Europës, të cilët ende sot besojnë në të. Kohet e fundit , para disa vjetësh , unë e kam trajtuar gjerësisht në një libër këtë gjë. Më vonë u përhap , jo vetëm djepi por dhe kurora e Serbisë është Kosova, por edhe heroi ynë Skënderbeu është serb. Më vonë doli një sulm mbi Skënderbeun. Nga mund të jetë sllav ai? Nëna mund të jetë ose është dhe s’do të thotë asgjë . Feudalet e mëparshëm ashtu martoheshin, dhe as na turpëron fare ne një gjë e tillë. Kjo s’ka të bëjë fare. Po vete më tutje, edhe babai i Skënderbeut mund të ishte sllav, punë e madhe! Emri i tyre ishte i lidhur vetëm me Shqipërinë. S’ka asnjë rëndësi, vetëm idiotët mund të mbahen pas këtyre tezave. Historiani Schmidt e quan Ivan Kastrioti babanë e Skënderbeut, sepse ka gjetur diku në dokumenta serbe. Ne e morëm me shumë nxehje k`të gjë. Problemi është, ti thuash , more zotëri serb a ishte serb Skënderbeu ?- Po pika të raftë, ai të braktisi, s′donte të dëgjonte emrin ty, ai erdhi e u dashurua me një atdhe tjetër, ta zëmë se, në qoftë se ! Ju jeni turpëruar e jo ne! E njëjta gjë, paka-shumë, është me Migjenin. Një pëshpërimë andej–këtej, se edhe Migjeni është pak si me emrin Millosh. Edhe sikur të ishte me ndonjë damar serb, ç ′të keqe ka mor zotëri ? Ky nuk ka asnjë varg serb në veprën tij , një rresht të vetëm nuk ka. Serbëve duhet tu binin të zezat kur të kujtonin Migjenin, kur të mendonin se i braktisi ata dhe u dashurua me një atdhe tjetër , ta zëmë se !
Familja Gjon Kastrioti , Gjergj Kastrioti, janë të lidhur me Shqipërinë në mijëra e miliona dokumenta e pikë. Miti ishte i keq, se në vulgun botëror pi ujë kjo gjë edhe sot. Po ne duhet të dinim të shpjegonim, e jo të druhemi se obobo e bëri një zviceran (…Schmidt), gjerman dhe s′duhet kundërshtuar. Ja thua dhe gjermanit dhe austriakut dhe kujtdo. Ç’do të thuash me këtë, le që s’është e vërtetë, po përse i jep kaq bujë të madhe ?…
(Pjesë nga takimi, material i përgatitur nga L.Lapi & Xh. Ukshini )