Në kuadër të studimeve «Gjuha, Kultura dhe Letërsia e vendeve të Europës Juglindore» HENRY LUDWIG, studiues gjerman, ka bërë një studim-analizë mbi identitetin europian shqiptar. Si bërthamë studimi autori ka marë si lëndë të parë kontraversitetin Qose-Kadare rreth mendimit, apo përkatësisë europiane të shqiptarëve. Studimi, sipas autorit, ka nisur qysh nga fillimet demoktratike në Shqipëri e përfunduar me libër vitin e shkuar. Libri studimor titullohet «Shqipëria Europiane» ∼ «Das albanische Europa» dhe, sipas kësaj kromatografie analitike autori Henry Ludwig vlerëson drejt mendimin e Kadaresë. Debati Qose-Kadare rreth «Identitetit Europian Shqiptar» është i njohur për publikun shqiptar, por këtu kemi një dimension të ri studimi, i cili kërkon në shqip enkas një studim² po aq të veçantë e shkencor. Autori gjerman ka përfshirë në libër edhe qëndrimin e disa intelektualëve të ndryshëm shqiptarë.
Gjithë ideja është se ç‘farë rezulton nga gjithë ky punim. Në mënyrë të përgjegjshme ritrasmetohet qartë shqetësimi dhe kujdesi i shkrimtarit Ismail Kadare mbi të ardhmen europiane të shqiptarëve. Një fakt i pastër është se, edhe perëndimorët vështrojnë me kujdes të madh seriozitetin e shqiptarëve. Masa egzakte «E duam Shqipërinë si Europa» nuk po ngjit mirë!
Lexo: IDENTITETI EUROPIAN I SHQIPTARËVE
-pjesë nga sprova-

Raportet me Europën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dyfytyrësi. Mesazhi i Europës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia. Trillet, nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta. Pengesat që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë, t’i afrohemi Europës, përpara se t’i kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga fetë, e sidomos nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë.
Është thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë, e, në tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj. Një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik, e po aq sa një ortodoks. Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në vijën e parë. Feja e njëjtë me pushtuesin, nuk ua mjegulloi idenë e lirisë.
Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé.
E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë.
Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne. Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo, për fat, nuk është kurrsesi ashtu.
Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”.
Ideja e përhapur andej-këndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.
Ide të tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë. Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, iu vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh.
Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen:
Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqendrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA – Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik.
„Kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet! Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese
Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre që mban emrin shqiptar. Programi i çdo populli të qytetëruar është ky dhe vetëm ky. Miqësitë, aleancat, strategjitë, kanë lidhje me të dhe vetëm me të. Ky nuk është etnoegoizëm. Kur çdo popull në mënyrë të natyrshme, njerëzore e demokratike e kryen këtë mision ndaj vetes, ai e ka kryer atë ndaj gjithë njerëzimit. Ky është thelbi i idesë europiane, fundaja mbi të cilën ngrihet Bashkimi Europian, ai që ndryshe quhet Europa e Kombeve.
Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Europë, siç kanë dashur të na mbushin mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë. Le të përpiqemi ta shohim atë që ka ndodhur, nga një kamera e largët, nga ato që të japin mundësi t’i skajosh gjërat në një tablo sa më të përgjithshme. Është një kontinent që shekuj më parë është quajtur Europë. Është një gadishull jugor i saj, ai më i ndritshmi dikur, dhe më i errëti pastaj, me emrin Ballkan. Ishte një perandori që u shfaq përbri, perandoria osmane, me një program e një ëndërr të mbrapshtë: të zhdukë nga faqja e dheut Evropën. Ndodh kacafytja e madhe midis të dyve. Gjatë saj, perandoria e re i shkul së vjetrës gadishullin ballkanik, djepin e qytetërimit të saj. Pesë shekuj më pas, gadishulli në fjalë, në mes të të cilit ndodhet Shqipëria, shpëton nga kthetrat e osmanëve. Perandoria e tyre bie. Kthimi i Ballkanit te kontinenti nënë është i gjatë, i mundimshëm.
Popujt e Ballkanit, janë vënë në radhë përpara Portave të Europës. Përbri, është Turqia, bërthama e dikurshme e perandorisë së tmerrshme. Për pesë shekuj ka kujtuar se popujt ballkanas, pasi ia ka zhvatur Evropës, po i çon si trofe, drejt kontinentit të vet. Por ç’po na shohin sytë? Një gjë tejet të pabesueshme. Ka vërtet një trofe, por jo ashtu siç është kujtuar. S’janë popujt ballkanas që Turqia po i çon si robër drejt Azisë, por përkundrazi, janë ata, që po sjellin si trofe një hanëme të vjetër: Turqinë» –
©I.Kadare 2006, pjesë nga sprova letrare „Identiteti Europian i Shqiptarëve“
sehr interesant!
LikeGefällt 1 Person
Ju lutem, por nuk shkon ky lloj formulimi, ose perkthimi i kesaj fjale ne gjermanisht: das albanische Europa. Po ta perkthesh kete dmth : Evropa shqiptare.
Po doni te thoni shqiperia Evropiane… thuhet ne gjermanisht… das europäische Albanien.
LikeGefällt 1 Person
Henry Ludwig foto. Kështu titullohet nga autori gjerman libri i studimit i dashur !
LikeGefällt 1 Person