Shqipëria e sotme, një luftë mes errësirës dhe dritës, e Shqipërisë europiane dhe asaj anti-europiane.
Shkrimtari Ismail Kadare ka komentuar zhvillimet e fundit politike, por jo vetëm, në Shqipëri. Ndonëse larg vendit të tij, Kadare ka thënë se lajmet që vijnë nga Shqipëria janë të trishtueshme.
“Një luftë mes errësirës dhe dritës. Shqipërisë europiane dhe asaj anti-europiane. Është si t’i thuash Shqipërisë dil kundër NATO-s, kundër perëndimit”
ka thënë shkrimtari për gazetaren Mira Kazhani, e cila ndodhet në Paris për një intervistë me Helena Kadare. Edhe pse Kadare nuk përmend emra, është më se e qartë se çfarë ka dashur të thotë shkrimtari për zhvillimet politike në vend./tiranapost.al Paris 06.02.2017
Identiteti europian i shqiptarëve / ISMAIL KADARE
Programi i çdo populli të qytetëruar është ky dhe vetëm ky. Miqësitë, aleancat, strategjitë, kanë lidhje me të dhe vetëm me të. Ky nuk është etnoegoizëm. Kur çdo popull në mënyrë të natyrshme, njerëzore e demokratike e kryen këtë mision ndaj vetes, ai e ka kryer atë ndaj gjithë njerëzimit. Ky është thelbi i idesë evropiane, fundaja mbi të cilën ngrihet Bashkimi Evropian, ai që ndryshe quhet Evropa e Kombeve
Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Evropë, siç kanë dashur të na mbushin mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë. Në mbyllje të kësaj sprove, le të përpiqemi ta shohim atë që ka ndodhur, nga një kamera e largët, nga ato që të japin mundësi t’i skajosh gjërat në një tablo sa më të përgjithshme.
Është një kontinent që shekuj më parë është quajtur Evropë. Është një gadishull jugor i saj, ai më i ndritshmi dikur, dhe më i errëti pastaj, me emrin Ballkan. Ishte një perandori që u shfaq përbri, perandoria osmane, me një program e një ëndërr të mbrapshtë: të zhdukë nga faqja e dheut Evropën. Ndodh kacafytja e madhe midis të dyve. Gjatë saj, perandoria e re i shkul së vjetrës gadishullin ballkanik, djepin e qytetërimit të saj. Pesë shekuj më pas, gadishulli në fjalë, në mes të të cilit ndodhet Shqipëria, shpëton nga kthetrat e osmanëve. Perandoria e tyre bie. Kthimi i Ballkanit te kontinenti nënë është i gjatë, i mundimshëm. Dhe ja epilogu: popujt e Ballkanit, janë vënë në radhë përpara Portave të Evropës. Përbri, është Turqia, bërthama e dikurshme e perandorisë së tmerrshme.
Për pesë shekuj ka kujtuar se popujt ballkanas, pasi ia ka zhvatur Evropës, po i çon si trofe, drejt kontinentit të vet. Por ç’po na shohin sytë? Një gjë tejet të pabesueshme. Ka vërtet një trofe, por jo ashtu siç është kujtuar. S’janë popujt ballkanas që Turqia po i çon si robër drejt Azisë, por përkundrazi, janë ata, që po sjellin si trofe një hanëme të vjetër: Turqinë. Natyrisht që Turqia nuk është robinë, në kuptimin e mirëfilltë. Natyrisht që ajo po e kërkon vetë, madje me këmbëngulje të pranohet në Evropë. Natyrisht që ajo, ndërsa lëshonte kërcënime e mallkime kundër Evropës, fshehtazi joshej prej saj. Dhe ky ka qenë ngadhënjimi i madh i Evropës. Ana e fshehtë e historisë, shfaqet këtu në formën më tronditëse. Pyetja: kush u thye prej kujt, ngrihet me gjithë peshën e saj.
ISMAIL KADARE , 30. mars.2006