Krimi, më pak se çdo gjë e duron dhunimin e të vërtetës. Ndaj hermeneutika (zbërthimi) e kohës postkrim merr një rëndësi të veçantë. Si rrjedhojë e një gjykimi të gabuar, gjithçka mund të jetë e tillë, e gabuar, për të mos thënë, e rreme, duke përfshirë dhe qëllimin e fundit: paqen. Në raste të tilla, e vërteta dhe e pavërteta, nuk mund bashkëjetojnë kurrë. Në se paqja do të jetë e rreme, e vërtetë mbetet të jetë lufta, thënë ndryshe, logjika e saj. E kjo logjikë nuk mund të sjellë veç rikthimin e luftës.

Për fat keq, ka ndodhur, në mos një përmbysje e plotë e së vërtetës, një cënim i rëndë i saj. Thelbi i cënimit ishte mosdëshmimi i krimit serb.
Dymbëdhjetë vite pas çlirimit të Kosovës, një „omerta e palejueshme„ ka lënë nën perden e mjegullës krimet e lemerishme serbe. Kanë heshtur për to pikërisht ata, që kishin për detyrë ta ngrinin zërin gjer në kupë të qiellit: kronistë, akademikë, historianë, politikanë e publicistë nga të dy anët e kufirit. Opinioni publik europian e ai botëror, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare. Ajo dëshmi vononte dhe kjo ishte me të vërtetë dramatike. Nuk ishte thjesht një vonesë, ishte më shumë se kaq.
Me këtë mungesë, jo vetëm u hoq dorë nga detyrimi moral ndaj vuajtjes së Kosovës, por u lanë në baltë aleatët perëndimorë, ata që nuk e kishin patur lehtë të përballonin një valë të pafund kundërshtimesh ndaj ndëshkimit të shtetit serb. Sa më shumë që dëshmia vononte, aq më e pashmangshme bëhej njëfarë ftohjeje kontinentale ndaj shqiptarëve, ftohje që kishte nisur ndërkaq në Rambuje, pas mëdyshjeve të tyre të pafundme, për ti hapur udhë ndëshkimit të Serbisë.
Pikërisht, kjo e fundit, do të përfitonte më së shumti nga kjo vonesë fatale, dhe do të nxiste kundërsulmin e saj mediatik për të përmbysur të vërtetën. Zbrazëtia e krijuar nga fshehja e të vërtetës, do të mbushej prej mashtrimit. Stinë pas stine e vit pas viti, e inkurajuar nga mpirja shqiptare, mësymja mediatike serbe do të kapërcente çdo kufi të cinizmit. Do të flitej prapë për masakra, mësymje, shtëpi të djegura, por këto nuk do të ishin më shqiptare, por serbe! Si në një skenë teatri ku ndryshohet dekori për aktin tjetër, po ndryshohej gjithçka: nga thelbi i dramës gjer te kombësia e personazheve. Tani viktimat ishin serbët dhe xhelatët shqiptarët.
Ishte një shfaqje nga më makabret që kishte ndodhur ndonjëherë në Europë. Nën thirrjet dhe zhurmat shurdhuese për ritregimin e historisë, kërkohej që Europa dhe SHBA të pranonin gabimin, dhe natyrisht që Kosova të kthehej prapë në robëri. Për ta theksuar sa më fort „fajin e dyfishtë„ perëndimor: ndëshkimin e Serbisë dhe përkrahjen e shqiptarëve, iu rikthyen tezës së Millosheviçit se shqiptarët nuk kishin merituar asgjë, nga që ata kishin luftuar jo për liri, por për islam. Për të bërë sa më bindës këtë ngulmim, u provokua djegia e kishave serbe më 2004, dhe më pas, sulmi kundër Nënë Terezës, ku nuk mbetën pa u përzier rimohues shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë. Provokime të tjera, si ato të Carla del Pontes e te Dick Martyt për krime rituale do të ndiqeshin nga akte terroriste kundër ushtrisë amerikane, të llogaritura posaçërisht për një shkallëzim të ftohjes me aleatin e parë të Kosovës e gjithë kombit shqiptar. Vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një renegati shqiptar, nuk ishte vetëm një akt burracak dhe i pabesë, siç u trajtua nga shtypi shqiptar, po shkonte përtej kësaj. Aviatorët ishin më shumë se dy ushtarakë dhe vrasja më shumë se e tillë. Në mistikën nacionaliste, ajo vrasje i merrte ngarkesën simbolike të hakmarrjes së vonuar serbe, rrëzimin e aviatorëve që mund të kishin marrë pjesë në bombardimin e Beogradit.
©Ismail Kadare te libri „Mbi krimin në Ballkan„ shkruar në vitin 2010.