Pjesë nga: „RA KY MORT E U PAMË“ ► DITARI PËR KOSOVËN
27 maj
Louise Harbour e fajësoi, më në fund, Millosheviçin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Si përherë, nuk munguan zërat që të shfaqin rezervën e tyre. Tashmë, kjo është bërë e pashmangshme: kalojnë disa ditë, për të mos thënë disa orë pas dënimit të çdo krimi apo krimineli, dhe do të dalë dikush, për çdo gjë do të thotë: Daleni pak, më dëgjoni edhe mua!
Natyrisht që kërkohen shkaqet për qëndrime të tilla dhe shkaqe, pa dyshim, mund të ketë, por kam përshtypjen se në një shumicë rastesh, kundërshtimi ka për zanafillë kotninë dhe vogëlsinë njerëzore. Shpesh ai vjen nga njerëz të rëndomtë, që, për shkak te mjeshtërisë, vihen befas në qendër të vëmendjes. Kështu qëllon me disa profesorë të së drejtës, që kanë qenë të fyer nga shpërfillja e tani s’mund të lënë rastin pa u halkmarrë.
(Prisni, jemi ne që i dimë këto punë!)
Më kujtohet një profesor i tillë gjerman gjate një konferencë në Hamburg, gjashtë muaj më parë. Ishim të dy në një tryezë të rrumbullaktë për Kosovën. Pasi tha ca broçkulla, i vënë në gjendje të vështirë, u detyrua të pohonte se nuk i njihte mirë çështjet e Ballkanit. Ateherë, nga salla, ku midis gjermanëve kishte edhe shqiptarë, e kërkoi fjalën një plak kosovar. „Kam nji pyetje për zotni profesorin“, – tha plaku. „Desha me i thanë, se kur nuk i di këto punë, përse nuk e len atë karrige!“ Plaku foli shqip. Përkthyesi im, Joachim Röhm, me gjakftohtësi të admirueshme, i përktheu fjalët e plakut. Profesori, ndonëse u përpoq të hiqej gjakftohtë, u pre në fytyrë.
28 maj
Televizioni francez lajmëron se do té japë një intervistë të Adem Demaçit. Është një nga të rrallët ka mbetur në Prishtinë giatë masakrave dhe bombardimeve. Pas çoroditjes që zgjon kudoflirti rozë i Rugovës me Millosheviçin, jam shumë kureshtar se ç’do të thotë lideri tjetër shqiptar.
Zhgënjimi është i plotë. Demaçi flet me një mënyrë gati të shkujdesur, thua se në Kosovë nuk po ndodh ndonjë gjëmë, por po ndodhin ca gjëra të zakonshme. Në fillim ky ton i shkujdesur duket si rastësi, si rrjedhojë e cektësisë së njeriut, truri i të cilit, i tharë prej marksizëm-leninizmit, është i pandjeshëm ndaj tragjedisë së popullit të vet. Edhe kritika që u bën bombardimeve të NATO-s, me krahasimin e stërpërdorur se NATO po sillet si elefanti në një dyqan porcelani, ashtu merret: kokëfortësi komunisti që nga çdo gjë mund të heqë dorë, por jo nga urrejtja kundër Perëndimit. Mirëpo, më pas, shëmtia në fjalët e tij nis e del lakuriq. Mandela i Kosovës nuk e fsheh që ndihet krenar që ka qëndruar në Kosovë, duke lënë të kuptojë se është i habitur përse të tjerët kanë ikur në panik. Dhe ky mendim i tij i mbrapshtë fillon e shtjellohet më qartë, kur shpjegon se si ky farë heroi u ka bëre ballë serbëve, ndërsa të tjerët qenkan tmerruar. Dhe tregon se si disa herë paskan ardhur serbët për ta mposhtur, por s’ia kanë dalë dot. Se ky trim i madh, me mençurinë e tij, i paska thënë ca fjalë aq prekëse e ca argumente aq bindëse, saqë i ka vënë me shpatulla për muri e i paska detyruar të ikin me bisht në shalë, bashkë me majorin e policisë që i komandonte!
Per besë, sa të kulturuar këta serbët e sa të ndjeshëm ndaj fjalës së bukur. Me fjalë të tjera, po të dish t’i bindësh me argumente, e fitore. Ndryshe, në qafë paç veten! Me fjalë të tjera, s’paskëshin ditur kosovarët të polemizojnë me serbët, ndaj edhe janë vrarë e janë grirë pastaj.
Kështu flet Adem Demaçi përpara televizionit francez. Kështu fyen mijëra të vrarët e të masakruarit nga egërsirat serbe.
Demaçi, Mandela i Kosovës, Rugova, Gandi i Kosovës. A janë të rastit këto dy referenca nga dy kontinentet kryesore të asaj që quhet „Botë e Tretë“, apo kjo përkon me shijen e ngratë të këtyre njerëzve, që nuk ndahen dot nga mjerimi i jugosllavizmit dhe i një bote rreckash?