Ditari: “Ra ky mort e u pamë”

Pjesë nga shënimet e fundit te Ditari për Kosovën

21 shtator

Bombardimi i Çecenisë, së vogël nuk zgjon kurrkund shqetësim. Kam kujtuar se një pjesë e atyre që tërboheshin nga bombardimi i Serbisë, kanë qenë, së paku, të sinqertë. (Alergji nga çdofarë bombardimi etj.) Mirëpo kjo heshtje tregon se s’paskan qenë kaq të pafajshëm.

Ishulli Gotland (Suedi), 23 shtator

cropped-kadare-nobeli16.pngJemi mbledhur nga vende të ndryshme të Europës, kryesisht të Ballkanit, në këtë ishull skandinav, në mes të të cilit ndodhet qyteti mesjetar i Visbit.
Historianë, hartues tekstesh shkollorë, ambasadorë, shkrimtarë, gazetarë. Ideja e UNESKO-s, “Çarmatimi i historisë së Ballkanit”, me fjalë të tjera, zhveshja e saj nga helmi shovinist, është, pa dyshim, mjaft e mirë.
Mbledhja, megjithatë, fillon keq. Me kërkesën e drejtuesve, pjesëmarrësit ngrihen për t’u paraqitur„ Greqia, Moldavia, Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Rumania, Turqia, Bosnja, Republika Serbe e Bosnjës etj. Të gjithë janë aty. Mungon vetëm Kosova.
Sapo mbaron paraqitja, kërkoj fjalën për të pyetur nëse mungesa e përfaqësuesve të Kosovës është një harresë apo ka një kuptim.
Kam përshtypjen së drejtuesi i mbledhjes turbullohet. Një herë thotë se do të ma shpjegojë tete à tete këtë gjë, pastaj shton se Kosova nuk është anëtare e OKB-së. I përgjigjem se nuk e besoj se Republika Serbska është anëtare e OKB-së. Madje, vetë Serbia.
UNESKO, e në radhë të parë drejtori i përgjithshëm i saj, Frederiko Major, ka moskuptim të thellë për Kosovën. Është rrjedhojë e çoroditjes që kanë të gjithë ata që e ngatërrojnë çështjen e Kosovës me atë të Katalonjës në Spanjë e të Korsikës në Francë.

Çoroditja ndihet edhe në fjalën e hapjes. Përmendet fatkeqësia që goditi Ballkanin, përmendet, madje, dhe gjenocidi, por jo emri i Kosovës. Pastaj vjen margaritari tjetër: fatkeqësisë së gjenocidit i shtohet tërmeti që goditi Turqinë dhe Greqinë!
Edhe kjo na duhet: të krahasohet Millosheviçi me tërmetin.
Me fjalë të tjera, t’i shpëtojnë çdo gjykimi njerëzor.

Ç’na polli me norvegjezët!

25 shtator

S’e merrja dot me mend se në një ishull suedez mund të gjeje një kohë kaq të bukur në prag të vjeshtës.
Deti Balltik ka një blu të rrallë që ne, mesdhetarët kujtojmë se na përket veç ne.
Përballë është Riga. Dyzet vjet më parë, kur ajo ishte pjesë e BRSS-së, dhe mua më ra rasti të kaloj një muaj në breg të Balltikut, ndieja një trazim të veçantë kur mendoja se diku më larg niste Suedia, domethënë Perëndimi. Të mësuar me afërsinë e Italisë, ne shqiptarëve, sa ndodheshim në vendin tonë, nuk na bënte përshtypje kjo përmasë e gjeografisë, kurse në BRSS Perëndimi dukej tepër larg. Ndaj edhe ishte tronditëse prania e tij diku prapa mjegullës. Më kujtohet që e fillova një vjershë me fjalët “retë ikin drejt Suedisë”, sikur t’i afrohesha një mëkati.
Peter Curman, ish-kryetari i Lidhjes se Shkrimtarëve të Suedisë, që ka ardhur në ishull, më sjell ndër mend një tjetër kujtim, këtë herë të vitit 1989. Ishte muaji dhjetor, sapo ishte rrëzuar Muri i Berlinit, unë me Elenën ndodheshim në Stokholm. Zëvendësministri i Jashtëm suedez, Pier Shori, na ka ftuar për drekë. Atje ndodhej dhe Peter Curman. Biseda është dramatike: Pas Rumanisë, ç’mund të ndodhë në Shqipëri? Ç’mund të bëjë Perëndimi?
Miqtë suedezë më tregojnë gazetat ku shkruhet për “nacionalizmin norvegjez”. Disa e quajnë disi të tepruar alarmin e shtypit, sidomos tani që po marrin njoftim për tmerret e Ballkanit.
Megjithatë, disa janë të shqetësuar. Tundin kryet dhe thonë:
Ç’na polli me këta norvegjezët.
E norvegjezët ç’thonë për ju? e pyes njërin„
Të njëjtën gjë, më përgjigjet.
Ndërkaq, vazhdon puna për çarmatimin e historisë. Qenka
më e ashpër se çarmatimi i UCK-së.
Më krijohet përshtypja se në UNESKO ora ka ngelur. Po ai zakon i vjetër, të mos përmendet Kosova, ose edhe kur i zihet në gojë emri, të shqiptohet me zë të ulët, si një mëkat. Shumëkujt i kujtohet koha kur UNESKO drejtohej nga afrikani M’ Bou, dhe kur Jugosllavia, primadona e vendeve të Botës së Tretë, ndihej këtu si zonjë shtëpie.



Kategori: Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: