
“KOHË BARBARE” BISEDË E KADARESË ME SKENARISTIN D. F. RECATALA
–Po për pozicionin e rusëve, çfarë mendimi keni?
-Për kërkimin e një zgjidhjeje kryekëput diplomatike nga ana e tyre? Dëgjo! Unë nuk dalloj dhe aq mirë se si mund ta ndajnëata pjesën ushtarake nga elementi i kulluar politik. Klauzeviçi, po qe se nuk e teproj, i përket sferës së tyre kulturore. Atëherë, vetvetiu, për ta, a nuk do të jetë më lufta vazhdimi i politikës me mënyra të tjera? Lufta nuk është darkë ceremoniale. Ajo ka dobinë e vet në një mekanizëm kompleks. Kjo është e gjitha… Marksistët a marksistët e moçëm e kuptojnë nevojën e vendosjes së një raporti forcash në favor të të dobtëve, në rastin konkret… Le pastaj, që Rusia luan në Kosovë rolin e saj si fuqi kontinentale, por ajo e luan ketë rol në një atmosferë tragji-komike. Këtu e kam fjalën për shkatërrimin e pushtetit shtetëror, të Jelcinit, Kremlinit, të intrigave tejet të alkoolizuara…
–Ju po e lini pas dore shoqërine civile ruse…
-Më falni, si thatë? Shoqëria civile ruse? Është e vërtetë se, si shumica e vëzhguesve të saj, edhe unë e humbas disi. Por ta themi mes nesh, ç’mund të flitet për të? Mbretëron rrëmuja. Komunistët janë antisemit, domethënë, ata kanë harruar që doktrina e tyre ka qenë e themeluar nga Marksi. Ata janë bërë shovinistë supreme, nderkohë nuk kanë qenë kurrë të këtillë ata që predikonin internacionalizmin. Ata janë gati të bashkohen me fashistë të tipit Zhirinovski. „Demokratët“ përhumbën nëpër mjegullnaja dhe askush nuk e dënon politikën e zbatuar nga Millosheviçi, të cilit gjithsesi i gjenden rrethana lehtësuese. Askush…
-As inteligjencia?
Ja një tjetër mësim, përfundimi i të cilit nuk më befason. Inteligjencia ruse, me Solzhenicinin në krye, ka dënuar krimet staliniane kur ata cënonin rusët, fshatarësinë ruse. Kur këto krime kishin të bënin me popuj të tjerë, mund të thuhej se këta njerëz i mbyllnin sytë. Rusia trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik, nuk ka shprehur asnjë pendesë karshi këtyre popujve të tjerë.
-Në më të shumtën e herës, viktimat janë rehabilituar…
-Ju keni pjesërisht të drejtë. Vë re që fajtorët nuk janë gjykuar, prandaj as dhe dënuar. A e njihni masakrën e Katinit, që Stalini ua veshi nazistëve? Në fund të regjimit komunist, Gorbaçovi e pranoi. Ky pranim nuk solli asnjë përndjekje. Askush nuk u thirr në interpelancë, as iu ra më qafë kurrkujt, njësoj sikur kjo kasaphanë oficerësh polakë të hynte në rendin e zakonshëm të gjërave.
-Krejtësisht, falë Gorbaçovit u mundësua…
–… hapja e hetimit? Sigurisht. Mirëpo kjoçështje e Katinit ka diçka simptomatike. Ajo ngjason me një hakmarrje të ndyrë fshatarësh, kokëgdhenjsh, me Stalinin në krye, ndaj elitës polake. Nuk bëhet fjalë vetëm për qërim hesapesh politiko-ushtarake. Kjo gjë shkon madje më tej se një vrasje shoqërore, klasë kundër klasës, çka merr ngjyrës gati mitologjike, thelbësore për gjininë njerëzore… Por shkojmë më tej: qysh prej Alfred Jarry-t dhe Xha Ubusë, gjithkush e di që Polonia është vendi i „askund“-it.
-Ju sugjeroni që inteligjencia ruse nuk ka protestuar kundër kësaj kërdie sepse ajo njehësoi, diku, „rusërinë“ me fshatarësinë dhe polakët si fisnikë?
E si ta shpjegosh, atëherë,“heshtjen“ e intelektualëve disidentë kur janë kryer krime ndaj „të tjerëve“, jo-rusëve, jo vegjëlisë, etj? Ata nuk ndalen te internimi i popujve nga Stalini, as te lufta e bolshevikëve të Leninit në Kaukaz. Dhe, siç jua përmenda tashmë, ata as bëjnë më kujdes për të fshehur antisemitizmin e tyre. Ata nuk preken prej asaj që u ngjet të tjerëve. Atyre as që u bëhet vonë fare.
-Nga kjo pikëpamje, ata nuk qenkan shkëputur nga tradita e tyre populiste?
-Pak a shumë kështu është… A e dini ju cili është romani i fundit i Tolstoit?
-Sigurisht, jo.
-Ai titullohet Haxhi Murat. Është i vetmi që nuk u botua sa qe gjallë autori. U ndalua në kohën e carizmit, komunizmit, pas komunizmit dhe ka mbetur sot e kësaj dite, i zhytur në mugëtirë. Përse? Sepse bën fjalë për konfliktin midis Rusisë dhe çeçenëve.Në plan të parë, shkrimtari i madh dëshironte të ngushëllonte ndërgjegjen e vet për krimet e ardhshme“, Ai e parandjente se çështja çeçene do të zvarritej shumë. Si rrjedhim, ai mbajti një pozicion moral, jo të drejtpërdrejtë, dhe ‚kishte arsye, por nëpërmjet artit. Kësisoj morali ka gjetur një themel që e përjetëson dhe e rrit Përfundimi? Ai ua kalon kështu të gjithë intelektualëve rusë të sotshëm, disidentë ose jo. Kjo është me sa duket arsyeja për të cilën ky roman ngjall njëfarë frike në Rusi, në çastin kur po bisedojmë. Në rastin më të mire, ai nxit turpërimin e ndërgjegjeve fatkeqe.
-Mos vallë, qëndrueshmëria e sjelljes rusomadhe nuk ka se si t’ua ngrohë zemrën?
-Për Kosovën, çështja nuk mund të shtrohet me këto fjalë. Pozicioni rus paraqet një pengesë tradicionale, ciladoqoftë dëshira e Moskës për të ndrequr një konflikt me qëllim që të ruajë epërsinë e saj në rajon. Me thënë të vërtetën, ia kam frikën një fundi shekspirian…
-Çfarë doni të thoni?
Të gjitha tragjeditë e mëdha të Shekspirit përfundojnë me luftra, me pushtime të huaja.
-Ju shpresoni në një ndërhyrje ushtarake tokësore?
-”Unë nuk e var shpresën time tek lufta. Për fat të mire, unë ushqej të tjera shpresa, por uroj me gjithë qënien time kthimin e kosovarëve të përzënë. Nuk është me dobi t’i hapësh punë vetes: pesimizmi është bërë parimi im i njëmendët. Unë e mendoj luftën të pashmangshme për të përftuar një zgjidhje „njerëzore“. Dhe kjo zgjidhje, u pëlqen apo jo shumë mendjeve çiltërisht engjëllore, do të pranojë ndarjen e gjatë mes shqiptarëve dhe serbëve. Unë nuk do të doja aspak ta përsërisja shpesh e më shpesh, por harresa e dhunimeve e fyerjeve, e përndjekjeve të çdo lloji nuk figuron ende një kalendar.
-Ju kërkoni ndjekje penale ndaj Millosheviçit?
– Ta pret mendja! Ndaj tij dhe bandës së vet. Ai e ka hak nxjerrjen para gjyqit të Historisë. Ballkani ka nevojë për një Nyremberg të ri. Në këtë rast, kompromiset me Millosheviçin do të ishin kompromentime me një sindikatë krimi. Do qe e udhës që popujt e vegjël, ata që kanë qenë të poshtëruar për shekuj me radhë, ata siç do të vuanin për pasojë nga një kompleks inferioriteti, të heqin dorë nga ideja e shpagimit, per t’u shëruar kështu nga ky kompleks e për të mos hedhur shtat në sajë të krimit. Sa më sipër, serbët përbëjnë një shembull mjeran. Ky regjim është një murtajë, murtajë siç duhet hequr qafe me çdo kusht. Hë për hë, murtaja po hedh rrënjë në rrethinat e Evropës, por ajo mund t’i molepsë asaj edhe zemrën, po nuk u tregua kujdes. Millosheviçi nuk është aq i izoluar sa ç’e pandehim. Ai ka idhtarë disi gjithandej, dhe shtëpisë Evropë po i kanoset vdekja që mban maskë të kuqe.
-A mos e keni gjë fjalën për rrëfenjën e Edgar Allen Poe-së?
-Po, si edhe për Rrokullima e shtëpisë Usher…
Përktheu: Luan Canaj
“KOHË BARBARE” , 5 maj 1999