Ne kishim qenë prej kohësh brenda saj, por veç tani, spikama e tragjedisë u bë zotëruese. Të gjitha ngjarjet e përditshme, deklarimet e Këshillit të Sigurimit, ose të NATO-s, nisja e aeroplanmbajtëseve, bombardimet, masakrat, shpërnguljet, merrnin aty për aty një zi sipërane, dendësoheshin brenda një ngrehe, që ngjante e mbinatyrshme, si në teatrin antik, por që s’ishte veçse pjellë e jetës sonë. ▬ Ismail Kadare, © »Ra Ky mort e u pamë«

5 prill 1999
Kadare shkroi: Dihet qartësia që filojnë ngjarjet nga largësia e vrojtimit. Disa herë qartësia është dëshpëruese, kërcënuese, saqë njeriu ka dëshirë që gjërat të mjegullohen prapë, ashtu siç kanë qenë. Por kjo është qetësi e rreme. Kur rrimëe mendojmë për atë çka po ndodh sot, vetvetiu bëjmë pyetjen: a janë bërë gabime fatale? A mund të shmangeshin? Kur jemi treguar të verbër? Kur kemi qenë të shurdhër? Në ç’kohë, në ç’vit, në ç’stinë?
Së paku, për këta dhjetë vjetët e fundit, atëherë kur fati i Kosovës, në vend të zbardhej, nisi të nxihej më keq se me parë, pyetjet janë të natyrshme. S’ështé fjala për të nxjerrë mllefe, për të dënuar fajtorë, për të bërë hakmarrje. Është fjala për procese që janë ende në zhvillim, pra, që ende mund të qortohen, të ndreqen. Një nga ngjarjet që besoj se është kthyer në brengë për mijëra shqiptarë është marrëveshja e Dejtonit. Si u harrua Kosova? Pse u harrua? Rastësisht u harrua?
Kam qenë disa herë në Nju-Jork pas Dejtonit, dhe çdo herë jam përpjekur të marr vesh diçka. Enigma, pa dyshim, është e gjerë, por një pjesë e saj e ka çelësin këtu.
Ajo që kam mësuar, megjithatë, për Dejtonin mbetet dëshpëruese, penglënëse. Ishte koha kur Serbia, nën kërcënimin e ultimatumeve, ndodhej nën përgjimin ndërkombëtar. Ishte koha kur ajo pjesë e opinionit botëror, njihej me dramën e Kosovës, priste
me padurim që në Prishtinë të ndodhte diçka: një demonstrate paqësore, një deklaratë, një thirrje botës: jemi edhe ne këtu, të shtypur, me hekura në duar, me thikë ne fyt, mos na harroni!
Në Prishtinë nuk u bë asgjë. Heshtje varri, thua se populli shqiptar kishte vdekur para kohe. Arsyetimi i LDK-së ka qenë: çdo demonstrim në rrugë do të jetë vdekje, do të na masakrojnë të gjithëve. Më mirë të heshtim.
Se sa e gabuar ishte kjo, qysh atëherë dukej qartë. Megjithatë, për mendjet e pazhvilluara ose për njerëzit e mpire nga frika mund
të dukej njëfarë arsyetimi.
Ndërkaq, ka diçka vrazhdësisht të pashpjegueshme në heshtjen që LDK-ja u përpoq të vendoste kudo. E pranojmë një çast që në Prishtinë demonstrata mund të ndillte rreziqe. Po në Berlin, po në Nju-Jork, po në Dejton?
Shqiptarët e Nju-Jorkut fillojnë të organizohen për demonstratë. LDK-ja është kundër. Arsyetimit të njujorkezëve shqiptarë: ne jemi shqiptarë: por ne jemi njëkohësisht qytetarë amerikanë, pra, kemi të drejtë të shfaqim mendimin tonë për Kosovën, nuk i jepet asnjë pérgjigje bindëse.
Pyetjet janë përherë shqetësuese: nga vijnë këto urdhra? Përse Prishtina, pasi ndalon demonstratat në truallin e vet, nuk dëshiron që ato të bëhen as né Nju-Jork, as në Boston? A janë urdhra te Prishtinës këto, apo të Beogradit? A janë në interes të Kosovës, apo të Serbisë?
Ka dy lloj pëshpërimash. E para: në Dejton po flitet gjerësisht edhe për Kosovën. E dyta: në Dejton askush nuk po kujtohet për Kosovën.
Cila është e vërteta?
Më në fund, nën trysninë e përgjithshme, tre shqiptarë, të shoqëruar nga një grumbull i madh bashkëkombësish, nisen për në Dejton për të marrë vesh se ç’po ndodh. Këta janë Rustem Ibraj, i LDK-së, Harry Bajraktari, drejtor i gazetës „Ilyria“, dhe Gjekë Gjonlekaj, gazetar i „Zërit të Amerikës“.
Ja historia e këtij udhëtimi, ashtu siç tregohet kohë më pas në Nju-Jork:
Tre shqiptarët arrijnë te futen në bazën amerikane ku zhvillohen bisedimet. E vërteta që marrin vesh atje, nga një zyrtar amerikan, është dërrmuese: në Dejton jo vetëm nuk është folur për Kosovën, por as fjala Kosovë nuk është shqiptuar.
Tre shqiptarët, para se të dalin jashtë, ku bashkëkombësit e tyre presin me padurim, vendosin ta fshehin të vërtetën. Jane R. Ibraj dhe H. Bajraktari që e detyrojnë edhe Gj. Gjonlekën, dhe të tre thonë të kundërtën e asaj që kanë mësuar. Ata i qetësojnë shqiptarët, duke i siguruar se në Dejton është folur e po flitet per Kosovën.
Gjithmonë sipas Gj. Gjonlekës, arsyetimi i dy të tjerëve është ky: ta fshehim të vërtetën që të mos mërzitet Rugova!….
Dhe kështu bënë: e fshenën të vërtetën për të zezën e Kosovës. Më pas, Gjekë Gjonlekaj fillon e flet për atë që ka ndodhur. Dy të tjerët heshtin Pyetjet, si edhe më parë, janë të shumta: ç’ishte kj këmbëngulje, për të mos i rënë më qafë Serbisë? ( Fill pas kësaj Millosheviçi deklaron: unë s’kam asnjë problem me shqiptarët . Qëndrimi i tyre e tregon.) Sa herë më vjen ndërmend kjo ngjarje ( dhe ka kaq shumë arsye për tu kujtuar,) nuk i heq dot nga përfytyrimi nga tre shqiptarët që, duke dalë nga kangjellat e hekurta të Dejtonit, u sjellin njerëzve një kumt të rremë. Ai kumt do të sillte pas vetes zjarre, masakra, dhe foshnja të vrara anekënd Kosovës*.
*Në një deklarim publik, të bërë më 14 janar 2000, në Nju-Jork, zotërinjtë Harry Bajraktari dhe Rustem Ibraj e kanë kundërshtuar vendosmërisht këtë pasazh të librit. Më pas autori i librit «Ra ky mort e u pamë», Ismail Kadare, gjen rastin që tu kërkojë ndjesë zotërinjve Bajraktari dhe Ibraj, për përshkrimin e këtij versioni të pasaktë të ngjarjes, bërë sipas rrëfimit të dëgjuar në mirëbesim, por të paverifikuar të njërit prej pjesëmarrësve të dërgatës