– Për ku jeni nisur? – i pyesnin ndanë gardhiqeve e portave.
– Bëjmë tutje.
– Për luftë?
– Po përse kujtuat ju, për dasmë? Meqë ra fjala, dini gjë si shkohet?
Përgjigjet ishin të ndryshme e të kundërta me njëra-tjetrën. Ca thoshin se luftë e mirëfilltë bëhej në mes të Shqipërisë e ca të tjerë tundnin kryet në shenjë mohimi. Bëhej luftë në mes, jo se s’bëhej, por ishte e përzier me politikë, si rakia që i ke hedhur ujë, kurse, në donin luftë përnjëmend, pa dredhira, ajo bëhej në anët. Atje të ikte koka sa të hapje e të mbyllje sytë, të binte predha e topit mu në vorbë të gjellës, e ti kujtoje se po ziente kokë e dashit, kurse atje ziente predha.
Ja, kështu tregojnë, për Perëndi. Eh, hidhej ndonjë më i vjetër. Sido që të jetë, lufta është si lakrori, biro, mishin e do në mes.
Të kishim një busull, psherëtinte Doskë Mokrari.
THELBI KARNAVALESK I HISTORISË
Parathënie për romanin “Viti i mbrapshtë” të Kadaresë
Nga Agron Tufa
Për shumë arsye, që do të hanin diskutim të gjatë, romani “Viti i mbrapshtë” shënon, në vështrimin tim, një nga kulmet e poetikës romaneske të Kadaresë. Në përgjithësi, rileximi i romaneve të Kadaresë në periudha të ndryshme, e më përveçmas, “Viti i mbrapshtë”, të kthjellon, më së paku, për shndërrimin dhe aventurën stilistike, ku bota rroket në atë pikë zanafillore magmatike të gjendjes apokaliptike të saj. Kjo që sapo thamë, i shkon për shtat, në një kuptim diskret, romanit “Viti i mbrapshtë”, të cilin do ta quaja një postscriptum të botëvështrimit metafizik mbi historinë. Sepse strategjia narrative e Kadaresë na vjen këtu pas një shtegtimi të gjatë dhe shterimi të përvojave të mëparshme letrare, duke e ricikluar vazhdimisht diskursivitetin ontologjik të shqiptarit, që grihet tête-à-tet me përjetimin e historisë së vet, në të gjitha variantet e gjithmundshme: si fat dhe fakt krenarie (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), si sfidë dhe triumf (“Rrethimi”), si dramë infantile e fëmijërisë (“Kronikë në gur”), si tëhuajësim dhe zvetënim të subjektit (“Breznitë e hamkonatëve”), si epikë impersonale dhe vetëndëshkuese (“Dimri i madh”), si mit, simbolikë dhe alegori, në disa romane të rëndësishme të viteve ‘80 (“Ura me tri harqe”, “Kamarja e turpit”, “Pallati i Ëndrrave” etj.) dhe, së mbrami, si përpjekje për të kapërcyer konfuzionin fatal në “Viti i mbrapshtë”.
Në shtrirjen e gjatë të këtij diskursiviteti, nga vepra në vepër, Kadareja ka krijuar botëra e subjekte aq të larmishme, sa ç’janë edhe ligjësitë e rrepta dhe sharmi stilistik që i qeveris këto botëra. Romani “Viti i mbrapshtë” paraqet një përvojë shtesë, të panjohur më parë në procedetë dhe truket narrative të Kadaresë (nëse bëjmë përjashtim për romanin e ndaluar gjer atëherë, “Përbindëshi”, dhe romanin tjetër të mëvonshëm “Dosja H.”), – këtu kemi shfaqjen e të parit roman postmodernist shqiptar.
Të kuptohemi drejt, ky fakt as ia ngre dhe as ia ul virtytet artistike prozës së Kadaresë, por duhet thënë, përtej impresionit, se proza shqiptare e njeh për herë të parë këtë përvojë në një variant origjinal. Rregullat e lojës në shtjellimin e romanit i binden kësaj estetike, çka do të thotë se kodi i ligjërimit letrar orientohet drejt një narracioni pluri-dimensional në marrëdhënien e tij me të vërtetën. Varianti postmodernist i Kadaresë, ndryshe nga estetika sunduese e shabllonit postmodernist, në vend që t’i çlirojë dhe shfuqizojë marrëdhëniet me të Vërtetën, duke krijuar realitete të stimuluara, fiktive, paralele dhe duke e relativizuar atë, sikundërse bëjnë autorët tipikë postmodernistë (Faullz, Eko, Paviç, Pamuk, Sokolov etj.), Kadare e thekson atë më fort duke e pranëvendosur midis kontrastesh hipokrite, falsifikuese e spekulative. Çadër nën të cilën gjëllijnë elemente dhe truke stilistike të poetikës postmoderniste është karnavalizmi i ushqyer me efektet eklektike të ligjërimeve stilistike, si: ironia, parodia, citati, mistifikimi, ekscentrizmi dhe minimalizmi i situatave, bufonada etj., të cilat krijojnë një bashkekzistencë plurale në ndeshjen e botërave dhe utopive.
Romani hapet me një sensacion kozmik – një ndërhyrje e jashtme, që modulon përjetimin okult dhe psikikën njerëzore të mbarë kontinentit: kometën. Ajo nxit shpërthimin e bestytnive dhe demonstri-min e energjive negative nga jashtë, që synojnë gllabërimin e Shqipërisë dhe subjektit shpirtëror shqiptar. Siç besohet, kometa sjell dyndjen irracionale të kaosit, mjegullës, krizës së identifikimit, por në fakt qenia në vetvete e njerëzve dhe e kometës, është krejt e njëanshme: “Lart në qiell kometa, e huaj, armiqësore, e bën si të kumbueshëm heshtimin e natës. Secili e di që sytë e tjetrit venë atje, megjithëse s’duan ta tregojnë”1. E njëanshme sepse qenia e kometës i përket një tjetër rrjedhe kohore, kohës kozmike, ligjësive ciklike të së cilës i nënshtrohet duke përsëritur vërtitjen e saj rreth rrotulluese çdo shtatëdhjetë e pesë vjet. Përkundrazi përjetimi bestyt dhe okult njerëzor i vesh asaj atribute ogurzeza, të cilat i merr si shenjë sipërie të një vullneti apokaliptik. Por edhe mendja racionale është e pangushëlluar: “Bishti i saj vezullonte ftohtësi në qiellin vjeshtor dhe vetëm mendimi që ti mund të vrapoje me mijëra e mijëra orë, dhe prapë të mos shpëtoje dot prej saj, ishte i mjaftë që të të shtypte”. Pra, kemi një shprishje nga përjetimi kalendarik i kohës së subjektit njerëzor, përderisa frika dhe bestytnia ia ndryshojnë rrjedhën duke e përjetuar atë si kohë mitologjike apo më saktë si kohë apokaliptike në akord me nocionin që kanë popujt e religjionet e ndryshme.
Mospërputhja dhe disharmonia midis njeriut dhe kozmosit krijon pështjellim kaotik në tokë, si pasojë e kohërave, lëvizjeve dhe misioneve të ndryshme ndërmjet tyre: kozmosi dhe natyra janë në harmoni. Qielli me yjet, hënën dhe kometën dhe natyra me stinët, shiun, breshrin, borimat është në akord të përpiktë me vetveten. I vetmi në këtë peizazh kozmik e tokësor, i paqetë e disharmonik është njeriu me frikërat, lakmitë, urrejtjet, dëshirat, intrigat. Në momentin e shfaqjes së kometës acarohen këto parametra psikikë dhe shpirtërorë dhe tërë bota njerëzore pushtohet nga një aktivitet dhe lëvizje kaotike absurde, të cilën Jil Delauze e ka quajtur “kozmos”.
Në këtë kozmos, përkundër rregullsisë absolute të gjithësisë që përtërin vetveten, kemi lëvizjet e çoroditura njerëzore të dhëna në një terren konkret që është Shqipëria e vitit 1913, nëse flasim për një realitet të propozuar historik.
Shqipëria që, në parim, ka një mbret, ani se të huaj, gjendet në një realitet të fragmentarizuar; ajo përshkohet nga ushtri të huaja, të njohura e të panjohura, nga palë ndërluftuese – komitë vendës – secila me qëllime të ndryshme dhe të gjitha palët, pa përjashtim, ndeshen të likuidojnë njëra-tjetrën. Prej të gjitha palëve të armatosura, vetëm njëra (çeta e mokrarëve) niset, për kah synimi, të “bëjë Shqipëri”, ajo është e vetmja forcë konstruktive në përftimin e një kozmosi shqiptar në kaosin e përgjithshëm.
Itinerari i çetës së Shestan Verdhës bëhet edhe orientues i historisë së brendshme të romanit, histori me pikëtakime të rralla kundrejt historisë së “madhe”, pasi vetë itinerari është me koordinata hapësinore e kohore të turbullta, një endje nëpër kaos, endje e orientuar nga intuita instinktive e luftëtarëve shqiptarë në kërkim të një ideali të papërcaktuar, armiku të padukshëm e shprese të vakët.
– Për ku jeni nisur? – i pyesnin ndanë gardhiqeve e portave.
– Bëjmë tutje.
– Për luftë?
– Po përse kujtuat ju, për dasmë? Meqë ra fjala, dini gjë si shkohet?
Përgjigjet ishin të ndryshme e të kundërta me njëra-tjetrën. Ca thoshin se luftë e mirëfilltë bëhej në mes të Shqipërisë e ca të tjerë tundnin kryet në shenjë mohimi. Bëhej luftë në mes, jo se s’bëhej, por ishte e përzier me politikë, si rakia që i ke hedhur ujë, kurse, në donin luftë përnjëmend, pa dredhira, ajo bëhej në anët. Atje të ikte koka sa të hapje e të mbyllje sytë, të binte predha e topit mu në vorbë të gjellës, e ti kujtoje se po ziente kokë e dashit, kurse atje ziente predha.
Ja, kështu tregojnë, për Perëndi. Eh, hidhej ndonjë më i vjetër. Sido që të jetë, lufta është si lakrori, biro, mishin e do në mes.
Të kishim një busull, psherëtinte Doskë Mokrari.
Kadare në njëzet e një njësi narrative të romanit ndërkëmben disa regjistra stilistikë, duke lënë në fillim dhe në fund të romanit, brenda kompozicionit-unazë, stilistikën e ligjërimit kronikal, që përbën pikëvështrimin neutral e pavetor të autorit. Ndërkaq, parimi i paraqitjes së forcave protagoniste të romanit përpunohet nga stilistika ligjërimore intencionale, që përputhet me botërat mentale të tyre. Esadistët dhe qamilistët përbëjnë një model narrativ me mitet, ndjeshmërinë, utopinë aziatike, e cila shprehet nëpërmjet formulave, folklorit, veseve dhe intrigave arkaike, përkundrejt ligjërimit të qashtër, disi infantil e baladesk të malësorëve mokrarë që sakrifikohen për të “bërë Shqipëri”. Ligjërimi monologjik i mbretëreshës është një botë krejtësisht e shkëputur e një utopie mondane romantike. Mes këtyre tri stileve, ligjërimi kronikal shfaqet si përmasë lidhëse e neutralizuese për të vendosur njëfarë patosi të distancës.
Nëpërmjet një shkrimi të thukët e të kondensuar përftohet një mozaik i grimcuar faktesh, zërash, motivesh, vendesh që lidhen nga vetëdije të ndryshme, të cilat marrin pjesë në konstruktimin e një historie me karakter të shpërbërë e fragmentar.
Konfuzioni i veprimit dhe situatat absurde e paradoksale i japin rrëfimit natyrë ekscentrike, ironike, parodike, groteske dhe të gjitha këto formacione stilistike së bashku përbëjnë specifikën e një humori të zi, ngjethës. Nuk është një kulturë gaztore si e Rabëlesë apo Servantesit, as e tipit gogolian dhe aspak e ngjashme me bufonët dhe bufonadat. Dominantja stilistike e këtij shkrimi është karnavali me elemente të ngërdheshjes, që shpesh kalon në ngjyrime gotike. Një lloj i karnavalizmit saturnal që ngërthen gjendjet historike në gjysmëkllapi dhe përpjekjet martirizuese për të hedhur dritë në bodrumin ku ka rënë vetëdija shqiptare, rol të cilin e luan çeta e mokrarëve dhe kapedani i tyre Shestan Verdha, që i shëmbëllen me flokët e ndritshëm një drite të përtejme shtegtare, përderisa edhe ai sos bashkë me kometën. Shestan Verdha është edhe ndriçimi i vetëdijes së trullosur, edhe një “krisht shqiptar” që martirizohet në bodrumet e errësirës anadollake të Kus Babajt. Parimi i paraqitjes karnavaleske përfshin historinë dhe politikën, lëvizjen e ushtrive dhe të çetave, por edhe brengat intime të personazheve nga Kus Babaj deri te mbretëresha dhe konsujt. Madje karnavalizmi përfshin edhe mënyrat e shfaqjes së qiellit, përderisa kometa nuk përbën veçse një aspekt karnavali në historinë e qiellit. Gjithsesi nuk është karnaval gaztor, edhe pse përpiqet të ngërthejë të papërcaktueshmen, fragmentaritetin, dekanonizimin, ironinë, anonimatin apo hibridizimin. Në këtë roman Kadareja, në radhë të parë, na e jep karnavalizmin si një forcë centripetale të gjuhës nëpërmjet relativitetit gaztor të përpjekjeve për utopi sureale, nëpërmjet pjesëmarrjes në rrëmujën e kësaj bote, që është një rraskapitje e zymtë e trupit dhe e shpirtit. Karnaval do të thotë festë e vërtetë e kohës, ripërtëritje, ndryshim, por në roman ajo nuk është e tillë. Distanca, ironia dhe parodia autoriale na shfaqin tiparet e këtij karnavali saturnal të gjithësishëm si përpjekje, si ëndërrim, si intrigë, si kurth, si mizori, duke u ushqyer me lëndë okulte, simbolika hermetike, nënkuptime dhe aludime të errëta dhe vetëdije të dyzuara: ky është karnavalizmi i historisë ku shfaqet logjika origjinale e ndryshimit të pikëshikimeve.
Karakteri brulesk, aksidental dhe ekscentrik i veprimeve i jep shpesh karnavalit një karakter të theksuar minimalist.
“Por ajo që u paraqit si kinse rrugëtim misterioz, nuk ishte veçse rrjedhojë e humbjes së rrugës së pararojës, kjo e fundit e shkaktuar nga shqiptimi i keq i frëngjishtes prej një ndërlidhësi vietnamez (f. 46)”.
E gjithë kjo situatë përfton paradoksalisht karakterin sureal e fantastik të karnavalit dhe, sidomos, paparashikueshmërinë kur flitet për manovrimet e ushtrisë veriore të Uk Bajraktarit:
“…prifti françeskan shqiptar Vinçens Marku zbuloi fare rastësisht se e gjithë kjo ishte shkaktuar prej një harte të humbur austriake e të gjetur në rrugë nga njerëzit e Uk Bajraktarit. Kaq shumë i kishte magjepsur ajo hartë, sa nisën të lëviznin pas saj duke përsëritur kështu zhvendosje të vjetra, të një ushtrie tjetër, të kryera sipas arsyesh të tjera”.
Karnavali përfton ngjyresa mistifikuese kur transferohet në një aspekt tjetër minimalist, kur konsujt e shteteve të ndryshme të Europës përpiqen të deshifrojnë domethënien e bakllavasë së Konsullatës turke dërguar asaj angleze. Shkalla e interpretimit rrok përmasa gjigante duke përfshirë kode të fshehta të një kulture të lashtë nëntekstesh diplomatike, sa mund të quhet njëfarë shpjegimi universal i historisë së diplomacisë otomane përmes bakllavasë, e cila, sipas rastit, për nga madhësia dhe petët paraqet me njëmend një rebus semiotik:
“Të dhënat u bënë edhe më të qarta kur u shoqëruan me shënimet historike, si dërgimi i bakllavasë së madhe me njëqind e dyzet petë që shënoi edhe kthesën e politikës me Napoleon Bonapartin, i bakllavasë xhuxhe me tridhjetë e një petë dhe me diametër më pak se dy pëllëmbë që paralajmëroi ftohjen me Carin rus, më pas i bakllavasë së mesme që vendosi status quo-në me Rusinë, i bakllavasë pa sherbet dërguar në vitin 1741 Polonisë, i asaj pa arra dërguar shahut të Persisë e gjer te bakllavaja e djegur dërguar kryepeshkopit të armenëve, në prag të shfarosjes së tyre.”
Karnavalizmi si paraqitje e një realiteti të turbullt ushtarako-diplomatik në romanin “Viti i mbrapshtë” shteron një seri përvojash të mëparshme nga veprat e Kadaresë, për të krijuar stilistikisht një afresk krejt të ndryshëm në trajtimin metafizik të historisë. Dhe stili unikal është çështje e dorës së parë në këtë roman, i cili përcakton automatikisht ndjeshmërinë dhe semantikën e receptimit. Çështja e stilit është gjithmonë çështja e instrumentit të mprehtë. Nganjëherë ai nuk është thjesht penë, por bisturi për prerje të holla, me të cilën mund të atakojmë çdo gjë që filozofia nxjerr nga materia dhe forma, me qëllim që të lërë gjurmë të pashlyeshme në të. Historia parakalon në “Viti i mbrapshtë” nën maska të gjithëfarta, gazmore, tragjike, përqeshëse e skërmitëse. Por në romanin e Kadaresë karnavali nuk është festë. Ai parakalon me maskat e shumta, i frikshëm e ngërdheshës, prapa të cilave fshihen fytyrat e djajve të skëterrës që nuk qeshin.
AGRON TUFA

Shqipëtarët edhe pse s’kishin shtet të vetin, kishin kaq shumë poste të larta shtetërore në Perandorinë Osmane, saqë vështirë se do të gjendej një komb tjetër që, duke mos pasur shtet të kishte megjithatë kaq shumë burra shteti. Me fjalë të tjera, shqiptarët jo vetëm që kanë qenë përherë të mësuar me zanatin e shtetit, po të më lejohej të shprehesha kështu, kanë qenë të mësuar më tepër se ç’duhej.
* * *
Gjithë këta zyrtarë të lartë, këta gjeneralë, deputetë, guvernatorë, admiralë, ministra, kryeministra, kjo aradhe e pafundme sunduesish e vulëmvajtësish, do të mjaftonin për të drejtuar një gjysmë kontinenti.
* * *
Aftësitë shtetformuese të shqiptarëve janë mbi mundësitë që jep ky truall. Ai është enë e ngushtë për ta. Ndaj vjen ky nervozizëm, këto shtete që mbijnë një këtu, një atje brenda shtetit kryesor. Dhe prandaj, duke ditur të gjitha këto, numri i këtyre shteteve më duket. megjithatë i vogël në krahasim me etjen shtetformuese përreth. ◄«*Fragmente nga Viti i Mbrapshtë shkruar në vitin 1985 dhe ekranizuar vitet t e fundit