Kur kërkohet e drejta për të tradhëtuar


Intervistë në revistën „Zëri “ të Kosovës

më 1997.

Zëri: Mendoni se Letërsia artistike, krahas studimeve historike, është mjeti kryesor për shpërndarjen e të vërtetës? – intervistë për „Zërin“ më 1997.

ISMAIL KADARE: S’ka asnjë dyshim. Të gjitha mënyrat, të gjitha mjetet janë të dobishme për të pohuar një të vërtetë. Ju e dini se gjysma e mitit serb mbi Kosovën bazohet mbi betejën e Kosovës. Disa historianë letrarë shqiptarë në vend që të merren me thelbin e çështjes, kanë shpenzuar shumë energji për të vërtetuar se vrasësi i sulltan Muratit, Millosh Obiliqi, ishte shqiptar. Më është dukur përherë një kotni kjo gjë. E para, se s’ka fare rëndësi se ç’kombësi ka patur njeriu që goditi mbas shpine një mbret. E dyta, se vdekja e sulltan Muratit mbetet një vrasje misterioze, , që me sa duket, s’është bërë fare prej ballkanasve. Kryesorja në betejën e Kosovës nuk është kombësia e vrasësit por fakti që në këtë betejë, për të cilën po bëhen aq shumë spekulime, nuk qenë vetëm serbët, por një aleancë e gjerë ballkanike që ka luftuar kundër osmanëve Të ngulësh këmbë te kombësia e mbretvrasësit, kjo është njëlloj si një lypsar të kërkosh një të vërtetë të mohuar. Për të vërtetuar se shqiptarët kanë qenë ndër aleatët kryesorë në këtë betejë, s’ka nevojë për vrasësin e hamendësuar të sulltanit.
Pjesmarrja shqiptare vërtetohet nga të gjitha librat seriozë të historisë, nga të gjitha kronikat e dëshmitë.
U zgjata te pyetja juaj, me që kam përshtypjen se disa intelektualë shqiptarë, të ndrojtur se mos fajësohen për nacionalizëm, duket sikur rrinë të paralizuar përballë trysnisë dhe opinionit ndërkombëtar.
PARIMI IM ËSHTË I THJESHTË: kur je i bindur se ke të drejtë, asnjë paragjykim europian qoftë, botëror, apo po deshët kozmik, s‘mund të bëjë të sprapsesh.

17157780_1896664227237592_4082716711370179156_o

Zëri: Këmbëngulni fort në mbrojtje të dinjitetit të vlerave shqiptare, jeni shprehur shumë herë kundër racizmit antishqiptar e sidomos atij racizmi kulturor. Mendon se ky racizëm vazhdon?

KADARE: Mendoj se po. Kur themi racizëm nënkuptojmë një reaksion që vjen nga jashtë, nga një tjetër rracë.  Racizmi kundërshqiptar ka një karakteristikë të veçantë se ndihmohet pabesisht nga vetë shqiptarët. Kam folur gjatë për këtë e nuk dua të zgjatem. Kur mbroj vlerat e kombit që i përkas kjo s’do të thotë se nuk ja njoh, madje nuk ja denoncoj veset. Po të shkallmosh gjithçka duke nisur nga gjuha shqipe, ta përqeshësh atë që është ndër shtatë gjuhët themelore të Evropës, kjo është për të vënë vajin. Dhe këtë e bëjnë intelektualët e shitur shqiptarë. E natyrisht me ta bashkohen ca horra të huaj, ata që si njeh kush në vendin e vet, e që vijnë të bëhen arbitra në kulturën shqipe.

Dua të më kuptoni drejt: unë e di fare mirë ç’është euforia nacionaliste, patriotizmi mburravec e folklorik, unë e di fare mirë se një popull është i qytetëruar kur kultura e tij godet dhe qorton mungesat dhe veset e tij. Unë i njoh fare mirë mungesat e popullit që i përkas: kapardisjen e padurushme shqiptare, etjen për tu dukur, smirën, prirjen për përçarje e gjer tek ajo më e rënda e shfaqur kohët e fundit : prirjen për shkatërrim.

Por unë i njoh, gjithashtu, veset e popujve të tjerë, lemeritë që kanë kryer, krimet, vogëlsinë shpirtërore dhe cinizmin. Është kjo që më bën të kem një vizion të qartë të përgjithshëm të kësaj çështjeje…..

(pjesë interviste  për revistën „Zërin“  më 1997)