KALORËS TË PABESË. MBRETËR QË QAJNË

Ismail Kadare :Makina gjuhësore asnjëherë nuk ka mundur dhe as ka mëtuar të jetë një pasqyrë e saktë e ndërlikimeve , larmisë dhe misterit të mendimit njerëzor. Falë këtij felix culpa (gabim i lumtur, që Faik Konica e ka trajtuar i pari në mendimin shqiptar) ne kemi dhuratë letërsinë në kuptimin më të larmishëm të saj. Ajo ka lindur si plotësuese, si qortuese e një gjykimi.

E QARA MBRETËRORE

E një befasimi të tjetërllojtë Eshtë pyetja e një poeti gjerman, e bërë afërsisht në mesin e shekullit XX. Në një vjershë të tij të njohur, pasi përmend lajmin e keq të mbytjes së flotës spanjolle dhe qarjen, me këtë rast, të mbretit të Spanjës, Bertolt Brehti shtron pyetjen: vallë vetëm Filipi Il qau?

Brehti nuk e fsheh se pyetja e tij është sfiduese dhe se një qarje tjetër, e harruar prej të gjithëve, nuk gjendet askund në histori a në kronikat e shtetit. Zakonisht i qartë, Brehti lë të nënkuptohet se e qara tjetër, ajo s’mund të jetë veçse e mijëra nënave mbetur pa djem, është lënë padrejtësisht jashtë historisë, megjithatë ai nuk shkon më tej. Sipas stilit komunist, ithtar i të cilit Brehti afishohej, do të mund të theksohej se në krahasim me të qarën e madhe e të dhimbshme të mijëra nënave të Spanjës, e qara e mbretit s’mund të ishte veçse një vaj shterpë e i pasinqertë, pjellë e etjes për pushtet etj., etj.

Brehti nuk e thotë një gjë të tillë, por natyrisht nuk jep asnjë shenjë se e kundërshton. Ndërkaq, simpatia e parë e lexuesve priret të jetë në anën e vajit të nënave kundër atij të mbretit. Sipas kësaj ndjesie, ato dy vaje s’mund të ishin veçse të ndryshme, në kundërshtim të plotë, madje që e mohonin njëri-tjetrin. Mendimi se njëri ia ka zënë vendin tjetrit vjen natyrshëm më pas. Ndërkaq, ka shekuj që vetëm vaji i mbretit ka zënë vend në histori. Askush nuk është kujtuar të vërë alarmin për mungesën e vajtimit të madh të nënave, e aq më pak të kërkojë rishkrimin e historisë. Më e çuditshmja është se as më pas, kur idetë kundërtiranike lulëzonin përherë e më fort, nuk u shfaq ndonjë prirje qortimi në këtë lëmë. U lënë beteja edhe me të bujshme, thënë ndryshe me mort edhe më të madh, dhe nënat mbetën, ashtu si më parë, jashtë asaj që quhej histori. Me përjashtim të pamjeve të herëpashershme televizive, ku nënat shfaqen kundër dërgimit të djemve në luftë dhe natyrisht me përjashtim të ndonjë vjershe të shkurtër si ajo e Brehtit, vajtoret e mëdha ende qëndrojnë jashtë kronikës së botës.

Pér t’u kthyer te ky i fundit, duam apo s’duam, do të vijmë te thelbi i tekstit të tij: krahasimi i dy vajeve. I atij, që padrejtësisht mungon, dhe i tjetrit, që, pa e merituar, ka hyrë në histori. Në ketë rast, me pyetjen e tij retorike, poeti, pothuajse haptas, na shtyn drejt idesë se njëri nga dy vajet, duke qenë uzurpues, mund të ketë qenë i shtirur, për të mos thënë i rremë. Sipas një tradite njerëzore dhe kulturore të njohur, ndërsa vaji i nënave nuk do të vihej në pikëpyetje për asgjë, vaji mbretëror do të dyshohej për gjithçka.

Në radhë të parë për faktin: ka qarë apo nuk ka qarë mbreti i Spanjës?

Pavarësisht frymës së njohur antimonarkike,  që shoqëronte shpesh hulumtime të tilla, vaji nuk është kundërshtuar nga asnjë burim. Pra, mbreti ka qarë vërtet. E vetmja shpresë për ta zhvlerësuar vajin mbretëror do të ishte mungesa e sinqeritetit të tij. Kishte kohë që shprehje të njohura, si „lot krokodili“, qarkullonin anembanë rruzullit tokësor. Me fjalë të tjera, mbreti mund të ketë qarë vërtet, por dhimbja e tij s’ka qenë e sinqertë.

Në një rast të tillë, një pyetje vijuese do të ishte e natyrshme: në qoftë se një mbret s’e ka sinqeritetin e duhur për të qarë, a mos do të thotë se ai s’mund të ketë arsyen e duhur për këtë? Çështja nis e ndërlikohet. Sa më shumë që shtjellohet në tru, aq më tepër ndërlikimi të çon tek ideja se vërtet një mbret, për nga sinqeriteti i vajit, s’mund të krahasohet me një nënë (me një nga Maria-Huanitat e pafundme të Spanjës), por për nga arsyet, puna ndryshonte. Sado befasuese të dukej, mund të thuhej se kishte gjasë që njé mbret mund të kishte gjithashtu arsye të forta për të zënë vajin. E aq më tepër një monark me nerva të brishta si Filipi i Spanjës. Tronditja e krejt mbretërisé, rrezikimi i fronit, do të ishin disa nga arsyet e para, por aspak të vetmet, për të shkaktuar pikëllimin e thellë mbretëror.

Ndërmendimi me gjakftohtë i ngiarjes të çonte, më së pari, te heqja dorë e kundërvënies së dy vajeve, më saktë te mohimi i njërit, si kusht për qenien e tjetrit. Pranimi i të dyve, duke qenë lëshimi i parë i dyanshëm, do të ishte një shembull i trajtimit të raportit mit-histori, si marrëdhënie plotësuese.

* Ismail Kadare „MOSMARRVESHJA“ f 81-83

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..