RA KY MORT NË KOHË BARABARE

“Ra ky mort e u pamë” o Peter Handke

“Ra ky mort e u pamë” 20 prill 1999

Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.

Ra ky mort e u pamë ….

Ismail Kadare, në Ditarin për Kosovën shkruan më 21 prill 1999

Der Nachfolger/Pasardhesi

»» Albert Londres? Oh, ai është madhështor! Një nga më të mëdhenjtë gazetarë të shekullit. Të shekullit? Thuaj, më mirë, të të gjitha kohëve. Ashtu, ashtu, ke të drejtë. Nuk jepet më kot një çmim me emrin e tij. Meqë ra fjala, mos ke dëgjuar gjë për kandidatin e ardhshëm?
Qysh se ka filluar drama e Kosovës, në shtypin francez dhe, pa dyshim, në atë botëror, gjithmonë e më shpesh ka referenca dhe citime për Shqipërinë nga Albert Londres. Kryesisht janë të nxjerra nga shkrimet e tij të vitit 1915. Ai është vërtitur në ato vite në Ballkan, afërsisht me Leon Trockin dhe Edith Durhamin.
Çfarë shkruan Albert Londres për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Gjë më e zezë nuk mund të përfytyrohet. Sipas tij, kjo është një djerrinë e mallkuar. Njerëzit janë të egër dhe aq të mbrapshtë, saqë vështirë se mund t’i quash njerëz. Nuk është mesjetë kurrsesi, është epokë e gurit. Është më keq se Kongoja, më keq se fiset e Afrikës Qëndrore. Ky vend nuk ka as histori, as qytete, as gjuhë, as shkrim, as alfabet, me një fjalë, asgjë. Përfundimi: ky vend është një skandal në Evropë, një keqkuptim, një gabim që duhet të ndreqet. Shkurt: ky vend duhet të fshihet nga harta e Evropës.
Të hedhësh poshtë këto mashtrime makabre është gjëja më e lehtë, pra, më e panevojshme në botë. Ndërkaq, është serioze pyetja: ç’është kjo urrejtje e zezë e një evropiani për një vend të vogël, që ka vetëm tre vjet që ka dalë në liri, këndi i fundit i Europës që iu shkëput, me ndihmën e Europës, Perandorisë Osmane? Është urrejtja natyrale, e drejtpërdrejtë (pra, urrejtja e një maniaku kundër një populli), apo një urrejtje e ftohtë, e përllogaritur, me një synim, pra, me një shpërblim në fund?
Është, pa asnjë dyshim, kjo e dyta.
Albert Londres, gazetar-reporter, nuk mund të ketë besuar asgjë nga ato që ka shkruar për Shqipërinë. Edhe sikur të kishte një mllef të madh kundër këtij vendi (mllef i shkaktuar një Zot e di nga çfarë shkaku, ta zëmë nga ndonjë grabitje, rrahje apo përdhunim prej banorëve), ai s’ mund të besonte në ato zezona që thotë. Mjaftonte një kalim i rrufeshëm nëpër Shqipëri për të parë se, pavarësisht nga prapambetja dhe varfëria, ky vend kishte, së paku, dy qytete me moshë të përafërt me atë të Romës, Durrësin e Shkodrën. Se kjo e dyta, Shkodra, ishte qyteti i dytë katolik, pas Zagrebit, ne gjithë Gadishullin Ballkanik, me një jetë kulturore të gjallë, gazeta, revista, shoqata, xhami, katedrale e kisha të shumta dhe ku Fuqitë e Mëdha kishin konsujt e tyre. Se mjaftonte të kalonte përbri një qyteti mesjetar, si Gjirokastra, me ato mijëra shtëpi prej guri, që iu ngjanin pallateve të vogla dhe që tregonin se ky popull, jo vetëm dinte të jetonte, por kishte ndërtuar qytete, që ishin përmendur me adhurim prej poetëve, si Bajroni, ose piktorëve, si Eduard Lear.
Ta pranojmë se A. Londres nuk donte ta shihte me sy Shqipërinë. Ose të ishte kaq i verbuar kundër saj, saqë qytetet t’i dukeshin si xhungla dhe shqiptarët si kanibalët e Afrikés Qëndrore. Edhe në këtë rast, kur të vinte puna te historia e vendit, te gjuha shqipe, tek alfabeti etj., ai, qoftë dhe pa dashje, do të binte në një njoftim, që do t’ia prishte përfytyrimin e keq. Mjaftonte disa minuta shfletimi i cilësdo enciklopedie, të parë se Albania nuk ishte ajo që mendonte ai. Se gjuha shqipe jo vetëm ekzistonte, por quhej gjuhë themelore e kontinentit, e hetuar qysh prej vitit 1695, jo prej kombëtaristëve të përndezur shqiptarë, por prej gjeniut gjerman Gotffried Leibnitz, e pas tij, prej dhjetëra gjuhëtarëve të tjerë nga e gjithë bota. Se jo vetëm kishte një alfabet shqiptar, por kishte qindra libra të botuar ne këtë gjuhë, i pari i të cilëve, një libër i shenjtë, ishte përkthyer e botuar në shqip prej murgut katolik, Gjon Buzuku, më 1555, vetëm tridhjetë vjet pas përkthimit të Biblës prej Martin Lutherit.
Që A. Londres nuk i dinte këto, nuk mund të fajësohet. E as mund të qortohet që nuk ka lexuar një sonet të Ronsard-it, ose “Childe Harold” të Bajronit, madje as bashkëkohësin e vet, Guillaume Apollinaire, i cili kishte botuar, ndërkaq, njëmbëdhjetë shkrime për Shqipërinë, në njërin prej të cilit, më 1903, duke bërë një krahasim pak të habitshëm midis zhvillimit të gjuhës suedishte dhe shqipe, jepte mendimin profetik se zhvillimi i kësaj të fundit paralajmëronte se shteti shqiptar së shpejti do të krijohej.

A. Londres vërtet nuk mund të qortohet për mosdijen e tij. Por për këmbënguljen e tij për të mashtruar nuk ka kurrfarë alibie. E, megjithatë, puna nuk mbaron me kaq. Pyetja e madhe e vërtetë është ajo që u bë në fillim: ç’urrejtje është kjo, ç’shkak e ka pjellë? Ja e vërteta, siç e mendoj unë: Është viti 1915. Ka tre vjet që shteti shqiptar është krijuar.…..

Schreibe einen Kommentar

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..